Regjisori i filmit Punks Not Dead nis xhirimet e filmit të ri
Prishtinë, 8 qershor - Freedom or Die është projekti më i ri i regjisorit Vladimir Blazevski, koproduksion mes Maqedonisë, Kosovës, Slovenisë dhe Serbisë.
Ky film flet për shimpanzën - Coco i cili ikën nga kopshti zoologjik dhe për rojtarin e këtij kopshti Cobe, i cili ka mbetur pa punë dhe nis aventurën për kthimin e shimpanzës në kopsht në mënyrë që të kthehet në punë. Coco-n njerëzit e adhurojnë dhe mbështesin dëshirën e tij për liri duke organizuar ikjet e tij të suksesshme, por gjërat shumë shpejtë ndryshojnë pasiqë Cobe është në kërkim të tij.
Skenaristi dhe regjisori i njohur për filmin Punks Not Dead, ka filluar sot (e mërkure, 08 qershor) xhirimet e Freedom or Die në Manastir të Maqedonisë. Xhirimet vazhdojnë në Shkup e në Mitrovicë dhe pritet të përfundojnë në gusht të këtij viti.
Ndër aktorët që janë të përfshirë në këtë projekt është edhe aktori i njohur Çun Lajçi, aktorja Agnes Nokshiqi si dhe aktori Refet Abazi.
Ky film është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës si koproduksion minor dhe ka për koproducent Agon Uka, shtëpia filmike Infinity Produktion.