08 Janar 2025

Recension për librin “Gjuha e gazetave” të Bardh Rugovës

GRAMATIKA E METODIKA E BARDHIT

Berat Armagedoni

Në muajin dhjetor isha për vizitë në Departamentin e Koleksioneve të Veçanta - Qendrën Referale për Master dhe Doktoratura - të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Derisa rrija aty shihja pranë e përreth dy punonjësve punime të ndryshme të masterit e të doktoraturës të kandidatëve nga Fakulteti Juridik, Ekonomik, Filozofik, i Filologjisë e ku di tjetër.

Fillova t’i shfletoj disa punime. Pas nja pesë a gjashtë punimeve që i mora në duar e ua lëshova një sy temës së tyre, emrit e mbiemrit të kandidatit e të mentorit, më duket se i shtati punim që mbaja në duar quhej Gjuha e gazetave në Kosovë. Ishte tezë doktorature. Autor ishte Bardh Rugova, kurse mentor i tij, Imri Badallaj. Punimi ishte mbrojtur në vitin 2006 në Degën e Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës. Punimi i kishte 274 faqe tekst, kurse madhësi të zakonshme të punimeve, 29 cm, i përcjellë me një hyrje tri faqe [6-9].

Meqë më interesoj ta lexoja, jo pse kishte objekt studimi gjuhën e gazetave në Kosovë, në të cilin medium punoja por, atëkohë, në vitin akademik 2006/07, kisha nisur studimet për gazetari në Degën e Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë, në të cilën, po në vitin e parë, më ligjëronte autori i doktoraturës në dorëshkrim, Bardh Rugova, sidomos për teknikat e shkrimit në lëndën Teknikë shkrimi (ishte lëndë dysemestrale). Pra, më pëlqente ta njihja tekstin e profesorit, kulturën e shkrimit e mendimin e tij, para se ta njihja ose të rrija me autorin e tij, pse jo edhe të bisedoja me të për ndonjë pjesë të tekstit të tij dhe të gazetave në përgjithësi.

Pasi Bardhin e njoha si ligjërues e matematikan i fjalisë në Degën e Gazetarisë, më pëlqente ndërkohë ta njihja fjalinë e shkruar të tij, prandaj u bëra lutje dy punonjësve që të ma jepnin atë tekst ta lexoja për pak kohë. Edhe pse, pastaj, kuptova se ishte i ndaluar të nxirrej nga aty Gjuha e medieve në Kosovë, u mora vesh me dy zonjat, të cilat u treguan shumë të sjellshme: me gjithë qejf ma dhanë për ta lexuar. Por, pas nja dy ditësh, pasi e lexova, ua ktheva prapë në zyrë bashkë me falënderime të sinqerta.

Kurse, një javë pas, nëpërmjet një shoku, pa lejen e autorit, më erdhën në e-mailin [email protected] disa ligjërata të po këtij autori, Bardh Rugovës, tash si profesor i lëndës Teknikë shkrimi. Ishin ligjërata të paautorizuara. Ishin ato që i kisha lexuar në atë punim. Ndërkohë, ligjëratë pas ligjërate e lëndë pas lënde, nisi të më dhimbseshin autori e mundi i tij, pasi ato ligjërata filluan të keqpërdoren nga disa studentë, të cilët, në ndonjë ligjëratë në lëndët e tjera, flisnin për gjuhën e medieve pa dhënë burimin e informimit se nga kush ishin mësuar të flisnin ashtu për gjuhën e medieve.

Së këndejmi, edhe pse ishin ligjërata të përgatitura me shkrim për studentët e Degës së Gazetarisë, teksti prej 140-faqesh nuk kishte ndonjë titull, përpos që në Word, në Header and Footer, shkruhej: Bardh Rugova - Teknikë shkrimi (ligjërata). Këto ligjërata atëkohë, në vitin akademik 2006/07, në gjeneratën e dytë të Degës së Gazetarisë, domosdo edhe në të parën, ishin më të plotësuarat sesa të profesorëve të tjerë. (Bëjnë përjashtim ato të Ibrahim Berishës e të Milazim Krasniqit, i pari kishte librin e botuar Media : agjensët e komunikimeve, i dyti kishte shkruar nëpër medie disa shkrime për gazetarinë, kurse dy vjet më pas botoi një libër enkas për studentët e Gazetarisë të UP-së, të titulluar Hyrje në gazetari. S’bën të harrojmë se kontribut të bartur aty, nga Kolegji AAB, kishte sjellë edhe profesori i Radio gazetarisë I e II, Rrahman Paçarizi, që kishte hartuar dy skripte nga 100 faqe për këto dy lëndë.

Po ashtu, edhe profesor Haqif Mulliqi, i cili kishte përgatitur një skriptë mbi 150 faqe për gazetarinë hulumtuese, të cilën lëndë e ligjëronte në UP - në Gazetari.

Por, teksti i Bardhit, edhe pse kishte një përcaktues - ligjërata, më shumë kishte karakter analitik sesa informues. Megjithëse, që në fillim vëreje se teksti, para së gjithash, kishte karakter pedagogjik (tekst kushtuar studentëve se si të mësojnë ta shkruajnë lajmin dhe rëndësinë që duhet t’ia japin atij), historik (të informonte për fillimin e gazetarisë shqiptare dhe asaj botërore), analitik (si duhet të shkruhet raporti dhe zhanret e ndryshme të gazetarisë, çfarë gjuhe e, pak edhe, çfarë lloj figurash i duhen njërit zhanër e s’i duhen tjetrit) e këshilla të tjera për gazetarët e për gjuhën e medieve. Po ashtu, veçoheshin edhe teoritë e përgjithshme të gazetarisë: autoritare, totalitare-sovjetike, libertariane dhe ajo e përgjegjësisë shoqërore. Por, ai material i përgatitur, së pari si tezë doktorature në Degën e Gjuhës, pastaj edhe si ligjërata për studentët e Gazetarisë, (kur filloi Bardhi të ligjërojë edhe në Degën e Gazetarisë), kishte objekt të studimit disa prej raporteve të gazetave të përditshme në Kosovë: Koha ditore, Express, Zëri, Epoka e re, Bota sot, Iliria post, Kosova sot e ndonjë tjetër.

Kështu më prezantohej teza e disertacionit e doktoratës e Bardhit për herë të parë në 2007-n në dorëshkrim, ashtu sikurse ligjëratat e ardhura një javë pas në Word në e-mail-in tim. Por, javën e kaluar të këtij Viti të Ri 2010 ato kishin marrë formën e librit, me titull të shkurtuar, Gjuha e gazetave. Me titull të shkurtuar, por me objekt të zgjeruar, e gazetave, pa përcaktuar vendin si në tezën e disertacionit, Gjuha e gazetave në Kosovë. Megjithatë, edhe në këtë shkurtim titulli, teksti kishte të njëjtin material informues e historik, veçmas analitik gjuhësor. Veçse, tashmë, për dallim nga dy herët e para, tekstin e lexoja si libër kushtuar jo vetëm studentëve, që as vetë nuk isha më, por edhe të gjithë atyre që dëshirojnë të mësojnë pak më shumë për organizimin e lajmit e të fjalisë, pak edhe për stilin gjuhësor të tyre.

Më tutje, më shumë se kaq, pritja ta lexoja një variant të formuluar më mirë të tekstit të plotësuar me stilistikën gjuhësore të medieve sesa që isha mësuar kohë përpara të lexoja në të për dy koncepte të gjuhësisë së tekstit, të përcaktuara nga De Beaugrande (më 1981): për koherencën dhe kohezionin (pra, për rendin logjik e sintaktik) e për llojet e diskurseve, në të cilët Bardhi, nëpërmjet parimit të gjuhësisë së tekstit (shkencë që merret me studimin e teksteve në bazë të shtatë standardeve të tekstualitetit: kohezionit, koherencës, synimit, situcionalitetit, pranueshmërisë, informativitetit dhe ndërtekstualitetit) synonte t’i analizonte tekstet e pakomunikueshme të gazetave që në libër, ashtu sikurse në ligjërata, paraqiteshin si shembuj të shpeshtë.

Pastaj vëmë re se studimit të teksteve të gazetave, atij përshkrues, narrativ, shpjegues, argumentues, instruktiv, Bardhi u referohet nëpërmjet fjalorit të anglishtes të Uebsterit (1996), teksteve të Beaugrandenit, të O. Dykro e C. Todorovit, të Simon Dikut e Michael Hallidayt, të Hjelmslevit e Firthit, të Zellig Harrisit, të F. de. Sosyrit, të Van Dijkut, të Çomskit, të Rexhep Ismajlit e disa studiuesve të tjerë me në zë për gjuhën e mediumeve dhe për tekstet e integruara. Ndërsa procesin e shkrimit, si faza më e rëndësishme dhe argumentuese e paraqitjes së dijes së mbledhur në teori e ushtrimit praktik në punë, autori Bardhi e jep në pesë pika, të cilat, deri më sot, si në të gjithë doracakët e punimeve, qoftë në atë të Umberto Ekos Si bëhet një punim diplome dhe të Mid’hat Shamiqit Si shkruhet vepra shkencore, kanë mbetur sikurse nenet e Kushtetutës: Përpunimi i idesë, grumbullimi i fakteve, analiza e fakteve dhe planifikimi i shkrimit, hedhja në letër në viza të trasha, rishikimi ose lëshimi i shkrimit.

Së këndejmi, edhe pse Gjuha e gazetave na ka dhënë mundësi shumë të mira për t’i ndenjtë më gati tekstit gazetaresk derisa punojmë si gazetarë (reporterë), po kaq mundësi u ka lënë studiuesve të medieve për të shkruar ndonjë tekst për gjuhën e gazetave të formave të përbëra të gazetarisë, e jo vetëm të raporteve, të cilat janë më të theksuarat në këtë libër. Në këtë kontekst, Bardhi, si gjuhëtar, për të gjallë ka lënë një amanet për gjithsecilin që punon në medie: shkruani sipas piramidës së përmbysur dhe kini vëmendje për koherencën dhe kohezionin e tekstit.

Pra, Gjuha e gazetave, ashtu sikurse Gjuha e medieve e Qemal Muratit, Si të shkruajmë shqip e Gjovalin Shkurtajt, Shkrim akademik (bashkautorë Sylvian Barnet, Pat Bellanca, Marcia Stubbs) e disa libra të tjerë këshillëdhënës për gazetarët e redaktorët, u kanë hapur rrugë librave të tjerë për forma të tjera të gazetarisë e për gjuhë tjetër të saj. Ndoshta, dhe është shumë më e rëndësishme në këtë kohë e në ato studime të gazetarisë që bëhen në UP e në kolegje private, ndonjë studim për stilistikën gjuhësore të medieve sesa për historinë e gazetarisë kombëtare ose botërore. Edhe pse na duhet historia e gazetarisë së tyre edhe më tutje për t’u studiuar, më të rëndësishme se ajo janë: gjuha, organizimi gjuhësor, figurat, zhanret etj.

Natyrisht se Bardhi, me Gjuhën e gazetave, ka kryer një punë të vlefshme si studiues i gjuhës, ka studiuar gjuhën e mjetit të informimit, gazetës, tipat e teksteve, morfologjinë e sintaksën e tyre, por me të ua ka hapur rrugën teoricienëve të ardhshëm të gazetarisë që të shtegtojnë drejt stilistikës gjuhësore të zhanreve të gazetarisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)