QKK dhe ABC me Memorandum Bashkëpunimi
Prishtinë, 2 shtator - Qendra Kinematografike e Kosovës (QGK), ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Kinemanë ABC në përkrahje të zhvillimit të industrisë së filmit në Kosovë.
Kjo marrëveshje lidh QKK-në dhe Kinemanë ABC në krijimin e kushteve më të mira në fushën e kinematografisë, në prodhimin dhe distribuimin e filmave Kosovar. Duke punuar bashkërisht priten që vlerat e kinematografisë kosovare të rriten, të lehtësohet puna e producentëve si dhe filmat kosovar të shfaqen edhe në qytetet e tjera të Kosovës.
Sipas memorandumit Qendra Kinematografike e Kosovës do të përkrah Kinemanë ABC dhe do të bashkëpunoj ngushtë me të në ofrimin e këshillave profesionale për krijimin dhe zhvillimin e rrjetit distributiv të filmave në rajon dhe më gjerë.
Ndërsa Kinemaja ABC do të përkrah QKK-në në aspektin teknik dhe logjistik. Nga kjo marrëveshje përfitojnë edhe studentët e Fakultetit të Arteve, për të cilët në memorandum thuhet:
Studentëve të Fakultetit të Arteve një ditë pas shfaqjes së premierave të filmave që shfaqen në kinemanë ABC bileta do tu ofrohet me zbritje sipas çmimores së Kinemasë ABC. Rreth memorandumit drejtoresha e Kinemasë ABC, Miradije Vllahiu tha: Kjo është në të mirë të kinematografisë kosovare dhe e shohim si interes të përbashkët për zhvillim të kinemasë.
Ndërsa drejtori i QKK-së, Arben Zharku u shpreh se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është i rëndësishëm për zhvillimin e industrisë së filmit dhe për promovimin e filmit kosovar në rajon e më gjerë.