Qeveria miraton dy propozime të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Prishtinë, 30 tetor - Qeveria e Kosovës në mbledhjen e qeverisë ka miratuar dy propozime të Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi si vijon:
Propozimi i parë i miratuar nga Qeveria e Kosovës është miratuar Plani i veprimit dhe kriterët për shpërndarjen e fondit të rimëkëmbjes.
MKRS pasi e ka analizuar gjendjen e tre sektorëve ka përgatitur metoda konkrete dhe kritere specifike për zbatimin e këtij vendimi për të siguruar ndarje korrekte dhe racionale të mjeteve financiare në përputhje me nevojat në terren.
Ndarja e mjeteve financiare do të bazohet në tri masa specifike në mënyrë që secilit sektor t’i ofrohet mbështetje relevante.
Masa 1 i referohet punës në praktikë për të rinjtë të cilët do të kenë mundësinë të angazhohen në sektorin publik dhe privat duke u kompensuar me 170 € në muaj.
Masa 2 i referohet mbështetjes direkte financiare për klubet e sportit që janë të regjistruara në federatat përkatëse sportive.
Masa 3 i referohet mbështetjes financiare për organizatat kulturore, krijuesve të pavarur dhe hulumtuesve të kulturës, rinisë dhe sportit.
Në momentin e parë që do të transferohen mjetet financiare, MKRS do të fillojë me zbatimin e këtij plani. Vendime të mira dhe shumë të rëndësishme për qytetarët, në veçanti për kulturën, sportin dhe të rinjtë e Kosovës.
Propozimi i dytë i miratuar nga Qeveria e Kosovës:
Është miratuar propozimi që muaji nëntor të quhet Muaji i Anton Çetës dhe të shënohet si i tillë me një varg aktivitetesh si vijon:
- Përurimi i veprave te Anton Çetës
- Përurimi i Kullës se Fazli Buqollit në Raushiq
Investim i Ministrisë se Kulturës, Rinisë dhe Sportit
- Këndi i Anton Çetës – Ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës
- Emisione Televizive- RTK
Shfaqja e emisioneve dhe dokumentareve te vjetra dhe punimi i një dokumentari te ri
- Simpozium shkencor ne Prishtinë dhe Tiranë
- Ekspozitë e fotografive ne Prishtinë dhe Tiranë
MKRS, Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Muzeu Historik ne Tiranë
- Themelimi i Çmimit “Anton Çeta“
Ky propozim miratohet meqenëse viti 2020 shënon 100 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e vdekjes së prof. Anton Çetës, intelektualit të ndritur, mbledhësit të shquar të folklorit, shkrimtarit të njohur e pajtuesit të palodhur të gjaqeve.
Njëkohësisht, viti 2020 shënon 30 vjetorin e pajtimit të gjaqeve, kthesës historike mbarë popullore në Kosovë e jashtë saj, që i kontribuoi zhdukjes së hasmërive dhe shërimit të shoqërisë shqiptare e pajtimit mes njerëzve.