Qeveria miraton dokumentin për Trashëgiminë Kulturore dhe të Drejtën e Autorit
Prishtinë, 6 korrik - Sot, në mbledhjen e Qeverisë, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka propozuar për miratim dy koncept dokumente: atë për Trashëgiminë Kulturore si dhe atë për Ndërmjetësimin e Kontesteve në fushën e të Drejtës së Autorit dhe të Drejtave të Përafërta.
Ministri Gashi tha se ruajta dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore mbetet prioritet i MKRS-së dhe i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Hartimi i koncept dokumentit për trashegeminë kulturore është paraparë në planin vjetor të punës së Qeverisë si dhe në kuadër të listës së koncept dokumenteve për vitin 2018.
"Mbrojta dhe ruajta e pronave, objekteve dhe vlerave të trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe përcaktimi i masave ligjore dhe teknike për invertarizim, hulumtim, dokumentim, përzgjedhje, konzervim, restaurim, administrim, prezantim dhe promovim të trashëgimisë kulturore në pajtim me kartat, konventat dhe instrumentet e tjera ndërkombëtare, është përcaktuar edhe në strategjinë kombëtare për trashëgiminë kulturore tha Ministri Gashi.
“Aprovimi i këtij dokumenti hap rrugë për të punuar në hartimin e ligjit të ri për Trashëgimi Kulturore si një nga prioritetet tona për avancimin e kornizës ligjore të Trashëgimisë Kulturore dhe përmbushje e obligimeve për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO” ka thënë ministri Gashi.
Gjithashtu, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim edhe me palët tjera te interesit ka hartuar Koncept Dokumentin për Ndërmjetësimin e Kontesteve në fushën e të Drejtës së Autorit dhe të Drejtave të Përafërta i cili për qëllim ka harmonizimin e këtij dokumenti me Ligjin Nr. 04/L-065, si dhe Ligjin Nr. 050/L-047 mbi plotësim- ndryshimin e Ligjit Nr. 04/L-065 për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.
Aprovimi i këtij koncept dokumenti, mundëson nismën për hartimin e Rregullores për Ndërmjetësimin e Kontesteve në fushën e të Drejtës së Autorit dhe të Drejtave të Përafërta.