27 Dhjetor 2024

Qeveria duhet ta hartojë një agjendë shtetërore për trashëgiminë kulturore

Prishtinë, 19 shtator - Grupe të qytetarëve dhe organizata të shoqërisë civile, gjatë muajve të fundit, në disa qytete të Kosovës kanë dhënë dëshmi konkrete të aktivizmit në mbrojtjen e qyteteve përkatësisht trashëgimisë kulturore të tyre, të cilat reagime kanë nxitur autoritetet shtetërore që të ndërmarrin veprime korrigjuese lidhur me këto raste. 

Në Vushtrri, pas reagimit të aktivistëve lokalë, Ministria e Kulturës ka anuluar një kontratë të dyshimtë, të nënshkruar në mënyrë jotransparente me një kompani private për menaxhimin e Kalasë së Qytetit.

Në një rast të ngjashëm, pak ditë para këtij rasti, organizatat e kulturës në Pejë kanë qenë shumë të zëshme duke ndikuar në kthimin e kalldrëmit në një pjesë të sheshit të qytetit, përkundër faktit se autoritetet qendrore dhe lokale ishin treguar neglizhente ndaj gjetjes së gurëve gjatë kryerjes së punimeve.

Në Prizren, aktivistët e trashëgimisë kulturore përfundimisht kanë ndikuar në arritjen e marrëveshjes mes autoriteteve lokale e qendrore, shoqërisë civile dhe donatorëve ndërkombëtarë për revitalizimin e rrugës “Marin Barleti” në Qendrën Historike të Prizrenit, ku vitin e kaluar si pasojë e shembjes së një shtëpie të vjetër kishte humbur jetën një tre vjeçare.

Ndërsa në Mitrovicë, aktivistët e shoqërisë civile dhe grupe të qytetarëve ka kohë që janë mobilizuar në mbrojtje të shtëpisë së Xhafer Devës dhe shtëpisë së ish-Armatës, ndërsa në të dyja rastet autoritetet e shtetit kanë treguar gatishmëri dhe priten veprime të shpejta në drejtim të mbrojtjes së këtyre objekteve.

Janë edhe disa raste, përfshi riaktivizimin e komponentit të ndërhyrjeve emergjente në monumentet në rrezik, miratimi i Strategjisë Kombëtarë të Trashëgimisë Kulturore (dhe aktivizimi i skemës së granteve të vogla), Muzeu i Historisë së Natyrës, ndër të tjerash, që kanë krijuar një klimë pozitive të qasjes së autoriteteve të shtetit ndaj trashëgimisë kulturore.

Një nga sfidat e rëndësishme mbetet prioritizimi dhe shtimi i efikasitetit të autoriteteve përgjegjëse për inventarizimin e objekteve të trashëgimisë kulturore në gjithë territorin e  Kosovës, që paraqet një masë të pashmangshme për ruajtjen   dhe   mbrojtjen  e  tyre.

Kësisoj me regjistrimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore do të sigurohej edhe baza për vlerësimin e tyre nëse gëzojnë mbrojtje ligjore. Për më shumë do të ishte ndihmesë për evitimin e rasteve të rrënimit të shtëpive të vjetra dhe objekteve tjera publike, sikur shembulli në Pejë, kur me autorizim të autoriteteve lokale është rrënuar objekti i vjetër i shkollës së parë të mesme të arteve aplikative në Kosovë.

Në rastet e lartpërmendura, aktivizmi qytetar, që në disa qytete është veprim konsistent i viteve të fundit, ka arritur të aktivizojë edhe mekanizmat e shtetit që e kanë në mandat mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore.

EC konsideron se këto janë shkëndijat e para të shpresës për qasje serioze të shtetit në raport me trashëgiminë kulturore. Megjithatë, për shkak të degradimit sistematik, trajtimi i pasojave është ndërmarrje që kërkon angazhim shumë të madh dhe afatgjatë nga autoritetet e shtetit.

Duke u thirrur në disa raste pozitive të reagimit të autoriteteve gjatë këtij viti, EC beson në mundësinë për të vendosur trashëgiminë lart në prioritetet e shtetit. Për këtë arsye, i bën thirrje autoriteteve të shtetit, në radhë të parë Qeverisë së Kosovës, që të hartojë urgjentisht një agjendë shtetërore për trashëgiminë kulturore, e cila do të nxiste mobilizim të të gjitha kapaciteteve shtetërore dhe shoqërore.

Pjesë e kësaj agjende shtetërore për trashëgiminë kulturore duhet të jenë së paku këto veprime ose prioritete:

-Hartimi dhe zbatimi i planeve të menaxhimit për të gjitha asetet e trashëgimisë kulturore që janë në mbrojtje të shtetit; 

-Funksionalizimi i plotë i mbrojtjes së përhershme ligjore të aseteve të trashëgimisë kulturore, ashtu që t’i jepet fund praktikës së mbrojtjes së përkohshme;

- Qeveria përkatësisht MKRS-ja duhet të jetë shumë më e koordinuar me autoritetet e nivelit lokal (komunat) rreth mbrojtjes, menaxhimit dhe promovimit të aseteve të trashëgimisë kulturore;

- MKRS të krijojë mekanizma konsultativ me shoqërinë civile në fushën e trashëgimisë kulturore;

- MKRS të fillojë një dialog të hapur dhe konstruktiv me pronarët privat të aseteve të trashëgimisë kulturore që janë në mbrojtje të përkohshme në mënyrë që të mbrohet trashëgimia kulturore dhe të përkrahen pronarët në fjalë;

-Prioritizimi dhe shtimi i efikasitetit të autoriteteve përgjegjëse për inventarizimin e objekteve të trashëgimisë kulturore;

-Zbatimi i plotë i ligjit për rastet e veprës penale ‘dëmtim i monumenteve’ (përfshirë këtu edhe rolin më aktiv të organeve të drejtësisë, të cilat duhet të rrisin nivelin e përgjegjësisë në këtë drejtim); 

-Angazhim për një aplikim të denjë për anëtarësim në UNESCO dhe me transparencë për procesin;

-Restaurimi i pjesës së mbetur të kishave ortodokse të dëmtuara në vitin 2004;

-Miratimi dhe zbatimi i planit të menaxhimit të lokalitetit arkeologjik ‘Ulpiana’; 

-Trajtimi profesional dhe me prioritet i lokaliteteve arkeologjike të zbuluara rishtazi dhe 

-Miratimi dhe zbatimi i planeve të menaxhimit për Qendrat Historike të Kosovës. 

Projekti "Transparenca e Planifikimit Hapësinor në Prizren" synon hapjen e dokumenteve të planifikimit hapësinor në komunën e Prizrenit, për të përmbushur obligimet e Kartës për Hapjen e të Dhënave, dhe rritur nivelin e llogaridhënies publike në këtë sektor.

Hapja e të dhënave dhe dokumenteve të planifikimit hapësinor do të krijojë mundësi më të mëdha për mbikëqyrjen e punës së autoriteteve publike  në  raport  me  urbanizmin,  lejet  e  ndërtimit,  planifikimin  zhvillimor  dhe  menaxhimin  e trashëgimisë kulturore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)