Qendra Kinematografike e Kosovës shpall 16 projekte të përzgjedhura
Prishtinë, 28 shtator - Qendra Kinematografike e Kosovës në konkursin e vitit 2016, përkatësisht juria vlerësuese për projektet e metrazhit të gjatë artistik, debutant dhe koproduksion minor, e përbërë nga: Arian Krasniqi Kryesues, Danijel Hocevar, Zymber Kelmendi, Elma Tataragic, Visar Morina, Artur Tahiraj dhe Alban Ukaj, pasi shqyrtuan projektet e paraqitura në këtë konkurs, kanë kënaqësinë ti shpallin projektet fituese:
Në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë artistik juria ka vendosur të subvencionoj 4 projekte: projekti filmik Cirku Fluturues me skenar dhe regji nga Fatos Berisha, projekti Zgjoi me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, Zana me skenar dhe regji nga Antoneta Kastrati dhe Skype me skenar dhe regji nga Isa Qosja.
Në kategorinë e metrazhit të gjatë artistik Koproduksion Minor juria vendosi të subvencionoj 3 projekte: Derë e Hapur me skenar dhe regji nga Florenc Papas, Delegacioni me skenar nga Artan Minarolli dhe regji nga Bujar Alimani dhe I treturi me skenar dhe regji nga Arben Thaqi.
Juria konstatoi se në garën e sivjetme pati skenare me potencial të mirë kinematografik dhe kjo është një shenjë se procesi i shkrimit të skenarit dhe realizimit kinematografik po tërhjek një numër të konsiderueshëm kineastësh të të gjitha moshave. Ndërsa, sa i përket thirrjes së veçantë për projektet specifike që nuk kalojnë vlerën e 50 mijë eurove të regjisorëvë debutues, juria konstatoi se nuk ka projekte cilësore në aspektin e skenarit dhe, me shumicë votash, vendosi që të mos mbështes asnjë projekt në këtë kategori.
Megjithatë, juria shpreh besimin dhe bindjen se respektimi i kritereve artistike për skenarë filmash vetëm sa mundëson ngritjen cilësore të prodhimit kinematografik në vend. Në këtë kontekst, juria inkurajon kineastët e rinj që të vazhdojnë të shfrytëzojnë mundësinë që jep konkurrenca në këtë kategori për realizimin e veprave të tyre kinematografike.
Ndërsa për projektet në kategorinë film i metrazhit të shkurtër artistik, dokumentar i metrazhit të gjatë dhe të shkurtër, animacion i metrazhit të gjatë dhe të shkurtër dhe zhvillim skenari juria është përbërë nga Agron Vula kryesues, Ramadan Musliu, Arben Bajraktaraj, Arzana Kraja, Bujar Luma, Kaltrina Krasniqi dhe Imer Mushkolaj, të cilët pasi shqyrtuan projektet e paraqitura në këtë konkurs, kanë kënaqësinë ti shpallin këto projekte fituese:
Në kategorinë e filmit të metrazhit të shkurtër artistik, juria vlerësuese ka vendosur të subvencionoj 4 projekte: Një Muaj me skenar dhe regji nga Zgjim Terziqi, Lëmsh me skenar dhe regji nga Lendita Zeqiraj, Drita me skenar nga Armend Smajli dhe regji nga Rita Krasniqi dhe Vozitësi me skenar nga Jeton Kulinxha dhe regji nga Valter Lucaj.
Në kategorinë e filmit të gjatë dokumentar, juria ka vendosur për projektin Çka e Vrau Arkitektin me skenar nga Besa Luci dhe regji nga Mathieu Jouffre, kurse për dokumentar të shkurtër janë mbështetur Kosova Brothers me skenar dhe regji nga Samir Karahoda, Shpresa me skenar dhe regji nga Vjosa Abazi Kastrati dhe Rrugëtimi prej Kampioni me skenar nga Arton Humolli dhe regji nga Kushtrim Kadriu.
Ndërsa në konkursin e filmit të metrazhit të shkurtër të animuar është vendosur të mbështetet projekti Magneti me skenar nga Mjellmë Doli dhe regji nga Arvan Berisha.
Juria konstatoi se në përgjithësi kishte prurje modeste në secilën kategori. Po ashtu, edhe larmia e temave të trajtuara në skenarë ishte evidente. Megjithatë, marrë parasysh cilësinë e projekteve të prezantuara në kategorinë e filmit të gjatë të animuar dhe në kategorinë e zhvillimit të skenarit, juria njëzëri vendosi që të mos e mbështesë asnjë projekt në këto kategori. Por, juria inkurajon skenaristët që edhe në të ardhmen të shfrytëzojnë mundësinë e konkurrimit - sidomos në kategorinë e zhvillimit të skenarit, sepse mundësia për mbështetjen e tyre është e mirë dhe ata do të kenë një rast unik për realizimin e projekteve me ndihmën e QKK-së.
.