Publikohet raporti Zhdukja e gjurmëve Qendrat historike të Kosovës
Prishtinë, 8 shtator - EC Ma Ndryshe të hënën ka publikuar raportin hulumtues Zhdukja e gjurmëve - Qendrat historike të Kosovës, me anë të të cilit synohet pasqyrimi i përgjithshëm i statusit të mbrojtjes së qendrave urbane me karakter historik në Kosovë.
Ky raport përmbledhë të dhëna konkrete për zhvillimin urban, të kaluarën e qendrave historike, dokumentet që kanë tentuar përkufizimin dhe ruajtjen e këtyre hapësirave, përfshirjen e një numri objektesh që janë në listën e mbrojtjes së përkohshme të MKRS dhe atyre që nuk janë, por që për qytetarët mund të jenë pjesë e kulturës dhe kujtesës së tyre kolektive.
Në fokus të këtij raporti janë 8 qytete: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Peja, Gjilani, Mitrovica, Vushtrria dhe Rahoveci.
Raporti vë në pah se për shkak të kaosit ndërtimor të pasluftës, shkeljeve të rregullave urbanistike, neglizhencës institucionale, moskoordinimit ndërmjet institucioneve kryesore qendrore dhe lokale në fushën e trashëgimisë dhe planifikimit hapësinor, si dhe mungesës së mbrojtjes ligjore të përhershme, e shumë faktorëve të tjerë, këto qendra çdo ditë e më shumë po vazhdojnë të pësojnë dëmtime të pakthyeshme dhe po rrezikojnë shlyerjen e plotë të kujtesës kolektive të këtyre qyteteve.
Në bazë të analizës del se qendrat historike urbane në Kosovë janë shembuj të zonave të degraduara, struktura urbane historike e të cilave nuk ka mundur ti përballojë kërkesat aktuale të tregut, ekonomisë dhe interesat private, etj.
Prandaj raporti konstaton se një nga veprimet urgjente që institucionet duhet të ndërmarrin drejt mbrojtjes së kujtesës kolektive të qyteteve, është vënia nën mbrojtje e këtyre tërësive, me hartimin e dokumenteve që rregullojnë dhe përvijojnë masat që duhet të ndërmerren për konservimin por edhe menaxhimin e këtyre zonave, me një perspektivë të zhvillimit të qëndrueshëm urban, ku me ndalimin e trendit të degradimit, trashëgimia do të vihej në funksion të zhvillimit të përgjithshëm kulturor, shoqëror dhe ekonomik të qyteteve të lartpërmendura.
Rekomandimet që dalin nga ky hulumtim theksojnë nevojën e përcaktimit të kufijve të bërthamës historike dhe caktimit të statusit mbrojtës, pastaj hartimin e zbatimin e planit të konservimit dhe në fund hartimin dhe zbatimin e planit të menaxhimit.
Raporti përkujton se nocioni i qëndrueshmërisë urbane dhe i qyteteve të gjalla\" karakterizohet nga zotërimi i një trashëgimie unike historike, ku ndikimi i rritjes së qyteteve nuk do të duhej të rrezikonte kontinuitetin e kujtesës kolektive të zonave urbane, por ruajtja e kujtesës kolektive urbane dhe me këtë ruajtja e zonave historike të qytetit duhet të jenë pjesë e pandashme e konceptimit bashkëkohor të zhvillimit të qytetit.