Promovohet vepra e Milazim Krasniqit
Prishtinë, 10 qershor -Të gjitha variantet e studimit të veprës së Milazim Krasniqit, tregojnë se edhe kur e shkruan prozën edhe kur e shkruan publicistikën, fjalori i tij poetik është kulmues në krijimtarinë e tij letrare. Kështu u tha me rastin e promovimit të kompletit të veprave të shkrimtarit, publicistit dhe poetit të mirënjohur kosovar, Milazim Krasniqit.
Poezia, Proza, Drama, Komedia, Studime mbi letërsinë, Publicistika islame dhe Publicistika, janë shtatë veprat e kompletit të Milazim Krasniqit, i cili në mënyrë solemne i ka prezantuar para lexuesve në hapësirat e Pallatit të Sporteve në Prishtinë.
Referuesit e këtyre veprave vlerësuan lart kontributin e Kransiqit, duke thënë se botimi i kompletit prej shtatë veprave është një ngjarje e klasit të parë, jo vetëm për autorin, por për të gjithë krijuesit.
Sali Bashota, njëri ndër referuesit e këtij kompleti veprash, duke folur për poezinë e autorit, ka thënë se fjalori poetik i Milazim Krasniqit, është kulmor në krijimtarinë e tij letrare dhe se përbën një nga ngjarjet më të veçanta të jetës së tij krijuese.
Haqif Mulliqi, duke folur për komedinë e Milazim Krasniqit, ka vlerësuar se krijimtaria e tij, ndërlidhet me atë të Ciceronit.
Profesor Milazim Krasniqi është profesor dhe shef në degën e Gazetarisë së Universitetit të Prishtinës.