07 Janar 2025

Promovohet libri “Syni dhe mendja e qytetarit përballë shërbimeve të mshefta serbe”

Prishtinë, 6 qershor - Libri “Syni dhe mendja e qytetarit përballë shërbimeve të mshefta serbe”, i autorit Xhevat Meha është promovuar të hënën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Në këtë promovim kanë folur recensentët: Fadil Kajtazi, ekspert i Sigurisë, prof. dr. Nexhmedin Spahiu, publicist dhe akademik Jeton Kelmendi, anëtar i rregullt i Akademisë Evropiane të Shkencave.

Eksperti i Sigurisë dhe recensenti i këtij libri, Fadil Kajtazi, ka deklaruar se libri i Mehës është i pari i këtij lloji.

“Meha ia ka dalë që të hedhë në dritë dhe natyrshëm që t’i zbardhë shërbimet sekrete. Edhe pse ai është auditor, ai ia ka dalë që t’i zbardhë kanalet e shërbimeve”, ka thënë ai.

Sipas tij libri “Syni dhe mendja e qytetarit përballë shërbimeve të mshefta serbe” i autorit Xhevat Meha, është i vonë dhe i rrallë në krahasim me fillimin e aksioneve të fshehta serbe në drejtim të popullit tonë.

“Por është ndër të paktët dhe të parët që në mënyrë metodike ia ka dalë ta demaskojë këtë veprimtari”, ka theksuar ai.

Kajtazi ka shtuar se shteti serb nëpërmjet shërbimeve të veta, agresionin në drejtim të shqiptarëve e ka filluar që në vitin 1844, kur në elaboratin famëkeq “Naçertanije” ishin krijuar shabllonet e veprimtarisë së fshehtë në drejtim të popujve joserb të Ballkanit, me theks të veçantë kundër shqiptarëve, e të cilat që nga ajo kohë e deri në ditët e sotme kanë ruajtur kontinuitetin e veprimit.

“Autori Meha pa iu referuar literaturës dhe pa i hyrë historisë, në mënyrë analitike konstaton vështirësitë e konsolidimit shoqëror të popullit shqiptar në hapësirat ballkanike, në të cilin me theks e spikatë lindjen e vështirë të shtetit të Kosovës si dhe funksionalizimin e tij.

Ai ia ka dalë që ta analizojë dhe piketojë veprimtarinë subversive të shërbimeve të fshehta serbe si faktorin kryesor, i cili ngadalëson funksionalizimin dhe herë-herë e çon drejt rrënimit të shtetit të Kosovës”, ka thënë ai, duke shtuar se pikënisja e gjurmimit të veprimtarisë së shërbimeve të huaja në një vend, bazën e ka nga burimet e hapura.

“Kështu, nga ky nivel i kundrimit, autori na servir shembuj dhe situata konkrete të stilit ‘duke shkaktuar dhe menaxhuar kriza’, e të cilat atij ia konfirmojnë brengën. Ato që nga fillimi e deri në fund të librit janë të bollshme, prandaj ia vlen të lexohen me kujdes”, ka thënë ai.

Recensenti tjetër, Nexhmedin Spahiu, ka theksuar se ky libër është i pari i cili e “drejton gishtin” drejt kësaj veprimtarie. “Libri i Xhevat Mehës është i pari që vë gishtin tregues në një çështje shumë të rëndësishme për Kosovën”, ka theksuar Spahiu.

Ndërsa autori i librit Xhevat Meha, ka thënë se këtë libër e ka shkruar pasi vështirësitë e jetës para shpalljes së pavarësisë nuk ishin shumë shqetësuese, por, sipas tij, ato të pas pavarësisë nuk përballeshin dot.

“Unë dua t’i falënderoj të gjithë ata që i konsultova që ky libër të dalë në dritë. Janë mbi 40 persona me të cilët jam këshilluar për këtë libër”, ka thënë Meha.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)