Promovohet libri “Nëna ime Mihane Lama” i gjeneralit Kudusi Lama
Prishtinë, 24 tetor - Sot në Institutin Albanologjik në Prishtinë do bëhet promovimi i librit monografik “Nëna ime Mihane Lama” i gjeneralit të mirënjohur, Kudusi Lama.
Në këtë promovim do të referojnë akademik Rexhep Qosja, që është recensues i këtij libri, redaktori i botimit, prof. dr. Emil Lafe, si dhe referues të tjerë.
Gjenerali mirënjohur i luftës së Kosovës, Kudusi Lama, javë më parë e nxori nga botim një libër të veçantë në përvojën e tij profesionale - një monografi kushtuar nënës së tij, Mihane Lama.
Ky libër i rrallë, i shkruar nga një ushtarak karriere e gjeneral lufte, habit lexuesin për ndjeshmërinë që bartë dhe sidomos për kulturën e shkrimit.
Dr. Kudusi Lama rrëfen jetën e nënës së tij, Mihane Lama, e cila i kishte rritur me vuajtje dhe sakrifica shumë të mëdha dy fëmijët e saj të mbetur pa baba që në vegjëli të hershme (të cilët më vonë u bënë ushtarakë me nam).
Akademik Rexhep Qosja e ka vlerësuar si të veçantë e me vlerë librin e Kudusi Lamës, jo vetëm për përmbajtjen dhe përshkrimin e protagonistes, por edhe për faktin se ai është shkruar me një mjeshtri të rrallë nga një gjeneral.
“Kjo vepër e Kudusi Lamës është me ndikim të veçantë pedagogjik dhe duhet të lexohet e rilexohet, sepse lexuesi shqiptar sot ka nevojë për libra të këtillë”, ka shkruar Rexhep Qosja në parathënien e këtij libri.
Po ashtu, edhe prof. dr. Emil Lafe, ka shkruar se duke rrëfyer për nënën Mihane, Kudusi Lama e sjellë të gjallë jo vetëm figurën e nënës, por edhe një botë dhe një epokë.
“Ky libër nuk është thjesht një shprehje dashurie e një peng nderimi për nënën, por edhe një histori njerëzore e shoqërore me përmasa të një romani shumëplanësh”, ka shkruar Emil Lafe.
Kudusi Lama është autor i disa librave nga fusha e studimeve ushtarake dhe të sigurisë por, ai ia, gjithashtu, ka botuar edhe disa libra publicistikë. Karrierën profesionale e ka ndërtuar si oficer në Ushtrinë e Shqipërisë deri në gradën e gjeneralit.