Promovohet libri Heshtja e Dashurise e Malsore Llapashtica
Prishtinë, 29 teto - Në ambientet e Biblotekës Kombëtare Pjetër Bogadani Prishtinë, sot u promovua libri Heshtja e dashurisë (shqip-italisht) e autores Malsore Llapashtica, e cila udhëtoi nga Italia për të qenë prezent në këtë takim letrar shumë interesant dhe impresionues.
Takimin e drejtonte Frrok Kristaj,Shkrimtar, studiues, publicist. Merrnin pjesë një auditor i përzgjedhur nga fusha letrare, Abdyl Kadolli, Adem Zaplluzha, Hysni Gashi e të tjerë. Në takim mori pjesë dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Tima Kadrija, e cila në fjalën e saj, mes tjerash, tha, se poetët duhen mbështetur në misionin e tyre artistik e kulturor.
Ndërsa poetja dhe redaktorja e librit nga Tirana, Fatime Kulli, u shpreh në fjalën e saj:
Vëllimi poetik, Heshtja e dashurisë, na intrigon dhe ysht për ta lexuar me ëndje, na fut në një botë të ndjeshme me shpirtin e thellë të dëshirave njerëzore në poezi. Në tërësinë e këtij libri, gjallon një poezi koncize e herë hermetike, që vetëm një lexues i kualifikuar mund të gërryej me traponine trurit, për ti gjetur thellësinë e asaj çka ka dashur të thotë autorja.
Poezia e Malësores zhytet si nëndetëse brenda karakterit poetik, për shkak të nuancave dhe lëvizshmërisë së gjendjes shpirtërore në aktin e krijimit lirik, me një tematikë të larmishme, në shumë këndvështrime. Veçojë në këtë buqetë të larmishme me poezi: Gjuha e prekjes, Hija e fytyrës, Bimët e fshehtësisë, Zjarrheshtur... , Skulptore e gjallë, Virgjëresha vdes e virgjër , Heshtja e dashurisë e të tjera.
Shpirti poetik i autores Llapashtica, rreket me prekë çdo detaj poetik, nga ngjarjet apo ëndrrat e jetuara ose të ëndërruara... Poezitë e autores Malësore Llapashtica shfaqen brenda një bote të ndjeshme, ku lexuesit do ti mbetet gjatë në mendjen metafora poetike Heshtja e dashurisë për shpirtin poetik, për artin e përdorur me mjeshtëri në çdo fjalë, në çdo varg, në çdo poezi.
Poetja Kulli pas fjalës së saj, lexoi poezi nga libri ku u duartrokit nga auditori. Autorja Llapashtica e emocionuar nga vleresimet që i bënë kolegët, shprehu mirënjohje të thellë pjesmarrësve dhe mes të tjerash, tha: Libri im është botuar në Lece të Italisë dhe është promovuar dy herë në Itali, por unë nuk ndjehesha mirë, pa e prezantuar librin në Kosovën time.
Promovimi u kthye në nje festë letrare, ku diskutimet e vlerësimet ndaj autores, vazhduan gjatë. Theksojmë se libri Heshtja e Dashurisë ( shqip-italisht) ështe vlerësuar shumë në Itali dhe është botuar me kontratë mes autores dhe botuesit italian, e cil pret të botojë të tjera vepra të sajat në Itali.