Promovohen dy vepra të Ilir Muharremit
Gjilan, 24 dhjetor - Sot në Bibliotekën “Fan Noli” në Gjilan do të promovohen romani ‘Psycho’ dhe libri shkencor - analitik ‘Moskuptimet’ të autori Ilir Muharremi.
Dy librat e Muharremit kanë ndezur debate të ndryshme mbi temat dhe idetë që trajtojnë, dhe përveç kësaj romani “Psycho” rangohet si i pari në vend i cili trajton tematikën triler- horror, dhe i vlerësuar edhe me çmime.
“Moskuptimet” është libër shkencor i cili trajton, siç thotë vetë autori, vdekjen e Zotit dhe drejtësinë si diçka përmbi Zotin.
Autori këtu tejkalon çdo filozofi atesite dhe i vihet përballë drejtësisë, duke trajtuar edhe problemin e absurdit nga Albert Camus, Samuel Becket.
Autori këtu pretendon se vërtetohet se absurdi nuk ka kuptim pa njeriun. Trajtohet edhe problemi i teatrit dhe kinemasë absurde. Kemi edhe shqyrtimin e postmodernizmit.
Ndërkaq në romanin “Psycho”, ideja zhvillohet përmes personazhit të tij boksier i karrierës e nxjerr atë jashtë ‘ringut’ letrar të letërsisë shqipe duke iu kundërvënë absurdeve me absurd përmes sportivitetit deri të kanibalizmi.
Kryepersonazhi i cili me plot dëshirë identifikon veten me Mike Taysoni-n, rrëfen jetën e tij në një bar nate i ulur në banak dhe karshi tij qëndron një kameriere jo shumë e bukur.