Promovohen dy romane në Tetovë
Shkruan Sadije Aliti
Tetovë, 2 korrik - Krijimtaria letrare në prozë e dy romaneve u promovua në Tetovë në hapësirat e lokalit Shend e verë, “Donika-dielli do të shkelqejë përsëri” i autorit Ismail Aliu dhe romanin “MAKTHI” i autorit Fatmir Halimi.
Veprat e autorit Ismail Aliu i ka botuar Shtëpia Botuese “PROKULTPRESS” nga Prishtina. Autori është nga Tetova, pas studimeve për ekonomi në Universitetin e Prishtinës, për shkaqe të rrethanave politike emigron në Berlin të Gjermanisë, për më shumë se 40 vite.
“Ai më shumë se gjysmën e jetës së tij e ka kaluar në mërgim, shkruan shqip që buron nga malli dhe dashuria për atdheun dhe dëshira e madhe që përmes temave që trajton të kontribuoj në ngritjen e vlerave tona kombëtare dhe letrare”- u shpreh botuesi Fatmir Halimi.
Ai më tej shtoi se Ismaili përmes syzheut të formave të tij në qendër të vëmendjes ka individin shqiptar të migruar nëpër vende të ndryshe evropiane, integrimin e tyre në jetën shoqërore, ku ata jetojnë dhe veprojnë.
Veprat e botuara nga ky autor janë: “Jeta në pranga”, ”Duke thurur ëndrra për jetën harrova të jetoj, “Dashuria në kontekstin e letërsisë dhe të psiko-filozofisë”, “Fletët e një ditari”, “Më fal Atdhe”, “Donika-dielli do të shkëlqejë përsëri”.
Te romani “Donika-dielli do të shkëlqejë përsëri” dëshmohet edhe talenti dhe zgjuarsia e autorit për të mbajtur të gjitha situata në kontroll, të cilat i krijohen për mes personazheve të shumtë: Donika, Bashkim Kosova, Marash Hoti, Kushtrimi e shumë të tjerë.
Ngjarja e romanit vendoset në Kosovë disa vite pas përfundimit të luftës së fundit. Krejt intriga e romanit zhvillohet dhe ndërtohet mbi bazën e shoqërisë kosovare pas përfundimit te luftës, ku shqiptarët edhe pse e fituan lirinë, brenda tyre mbeten mbeturinat e pushtetit serbosllav, të cilat inkuadrohen në institucionet e reja dhe bëhen përsëri të pushtetshëm.
Autori i jep shpresë krejt kësaj drame me gjeneratat e reja qe luftuan për lirinë e vendit.
Njëherit u promovua edhe romani “MAKTHI” i autorit Fatmir Halimi nga Kosova. Për krijimtarinë e autorit dhe romanin një fjalë një vështrim të përgjithësuar prezantoi krijuesja tetovare Sadije Aliti.
“Shkrimtari rrëfimin e tij për ngjarjet, të bëmat dhe episodet e shumta të jetës i paraqet përmes narratorit, ose rrëfimtarit në vetën e parë, pra personazhit kryesor, ato barriera të jetës e mbajnë edhe lexuesin më makth, se cila do të jetë ndodhia e radhës dhe çka do të duhet të kalojë Agoni, personazhi kryesor, për të sfiduar atë që jeta ia servon larg vendit të tij diku nëpër Evropë”-theksoi Aliti.
Fatmir Halimi u lind në fshatin Dumnicë të Podujevës. Shkollën fillore e kyeu në vendlindje, të mesmen në Podujevë, ndërsa studimet në degën Letërsi dhe gjuhë shqipe i kreu në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinës, ku edhe ka magjsitruar. Autori ka një karrierë 30 vjeçare në krijimtarinë letrare.
Mitingu i Poezisë që mbahet në Gjakovë, i organizuar nga Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, sivjet u mbajt për të 57-tën herë me radhë, në konkurs të shpallur për roman, prozë dhe poezi nga Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” për vitin 2021, e zuri romani me titull “Makthi” i shkrimtarit Fatmir Halimi, mori Çmimin e parë “Teki Dervishi”.
Romani “Makthi” i Fatmir Halimit përshkohet me një stil ri të krijimit dhe me një temë psikologjike, por edhe sociale dhe shoqërore, ku personazhi kryesor është një individ krejt i vetmuar mbi sipërfaqen e detit dhe mbijetimin e tij, i cili faktikisht e përjeton, por edhe e mbijeton makthin.
Fatmir Halimi është fitues i Çmimit vjetor për letërsi “Anton Pashku” për veprën më të mirë letrare në prozë të botuar brenda vitit 2017, me romani “Dy vdekje të një jete”.
Ky roman ka për motiv periudhën e luftës së fundit në Kosovë dhe pasojat e saj, të cilat transmetohen nëpërmjet të fateve të dy personazheve kryesore si: Astritit dhe Valberës, dy të dashuruar marrëzisht, e të cilët i ndau lufta. Fundi tragjik dhe dhënia e besës për t`u bashkuar në botën tjetër, japin kulmin e dhembjes dhe emocionit që e përshkon romani.