Projekti filmik Gold i Bujar Alimanit fillon xhirimet
Prishtinë, 23 tetor - Regjisori Bujar Alimani i njohur për filmin Amnistia, i cili pati premierën e filmit në Berlinale, fillon projektin e ri Gold që është koproduksion Kosovë-Shqipëri me producent Valon Jakupaj dhe Tefta Bejko.
Filmi Gold me regji e skenar të Bujar Alimanit fillon xhirimet nesër (e premte, 24 tetor) në Tiranë. Xhirimet vazhdojnë në Bulqizë e pastaj edhe në Kosovë.
Gold flet për një familje, një nënë që është memece dhe ka dy fëmijë. Është një mashkull që ka hyrë në jetën e saj, por nuk është i lejueshëm nga djali i madh që është 14 vjeç. E gjithë ngjarja rrotullohet rreth këtij katërkëndëshi, pasi këtu është dhe një mësuese, dhe djali nëse ka një nënë që nuk mund ti flasë, ai tenton të komunikojë me mësuesen. Në këtë katror zhvillohen ngjarjet. Djali tenton të jetë burri i shtëpisë, të jetë i zoti, në mënyrë që të ndalojë personazhin tjetër që të hyjë në familjen e tyre.
Kasti përbëhet nga aktor prej Kosovës dhe Shqipërisë si: Klodjana Keco, Kasëm Hoxha, Fredjon Ruçi, Mirela Naska, Xhevdet Doda etj.
Ky film është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kinematografike Kombëtare dhe është koproduksion mes Gegnia Film dhe 90 Production.