Profesori Binak Beqaj promovon libër urbanizmi në Tiranë
Tiranë, 18 prill - Profesori në UBT, dr. Sc. Binak Beqaj, ditë më pare, ka nxjerrë nga shtypi librin Zhvillimi urban, planifikimi dhe dizajni. Ky libër është ndër të parët në fushën e urbanizmit, i botuar nga një autor shqiptar.
Promovimi i librit është bërë në Universitetin Politeknik të Tiranës Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, me kërkesë të të fundit, ndërsa është pritur me interesim të madh nga studentet, pedagogët dhe studiuesit e fushës.
Zhvillimi urban, planifikimi dhe dizajni, është libri i tretë profesional - studimor i autorit.
Promovimi i librit është bërë në amfiteatrin e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në Universitetin Politeknik te Tiranës, ku profesori Beqaj ka mbajtur edhe ligjëratën tematike Transformimet shoqërore dhe sfidat urbane në vendet e Ballkanit, në relacion me standardet e BE-së.
Ligjërata ka nxitur debat konstruktiv të të pranishmëve dhe është vlerësuar shkëlqyeshëm nga debutuesit.
Urbanizmi është një nga fushat më komplekse, jo vetëm në Kosovë e Shqipëri, por në tërë Ballkanin. Prandaj, libri i profesor Beqajt, nëpërmjet shembujve dhe zgjidhjeve konkrete urbanistike, hap shtigje të reja për studiuesit, detyrë e të cilave është që ti rreken me po aq seriozitet një problemi të tillë rreth zhvillimeve shoqërore.