Prishtinës i shtohen edhe tri minibiblioteka
Kryeqyteti i Kosovës hap pas hapi po shndërrohet në qytet të librit. Tashmë, ngjashëm sikurse lagjet “Dardania” dhe “Ulpiana”, edhe lagjet “Velania”, “Bregu i Diellit” dhe “Lagjja e Spitalit” po bëhen me kënde të librit. Ky projekt do të vazhdojë tutje dhe deri në fund të vitit pothuajse secila lagje e komunës së Prishtinës do të bëhet me minibibliotekë.
E gjithë kjo punë në nderim dhe promovim të dijes, përkatësisht librit, mbi bazën e të cilit do duhej të ngritet çdo personalitet njerëzor – po bëhet falë një bashkëpunimi të gjerë mes organizatave, bizneseve, institucioneve dhe qytetarëve vullnetmirë, si: ETEA, Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës, Libraria "Dukagjini", Forumi për Iniciativa Qytetare, Zyra e BE-së në Kosovë, Komuna e Prishtinës dhe mbi 150 qytetarë qe kanë ndarë mjete financiare dhe libra për minibibliotekat.