Prishtina pasurohet me vepra të reja arti publik
Prishtinë, 28 tetor - Guerilla Art Festival sjellë dhjetë artistë grafiti nga Kosova, Maqedonia, Bullgaria dhe Sllovenia, të cilët reflektimet e tyre mbi qytetin do ti shprehin me grafiti mbi panele të mëdha (2m X 3m) si dhe Matthew May do të punoj 3D vizatim me shkumësa. Të gjitha veprat do ti dhurohen Komunës për instalim në hapësira publike, edukative dhe zbavitëse.
Këtë të mërkurë (28.10.2015) trotuari i Fakultetit Filozofik kthehet në studio të hapur për artistët pjesëmarrës në edicionin e parë të Guerilla Art Festival, i organizuar nga Qart (Qendra për Zhvillimin e Artit) për rritjen e cilësisë dhe larmisë së ofertës kulturore urbane dhe ndërtimin e imazhit bashkëkohor të kryeqytetit.
Njëkohësisht ne datat 28-29 nëntor, Sheshi Ibrahim Rugova do të zbukurohet nga 3D vizatim me shkumësa ( 6m x 3m) punuar nga artisti holandez me renome botërorë Matthew May, pjesëmarrës ne rekordin botëror te Guinesit me punimin me te gjate 3D të realizuar ndonjëher.
Me mbështetjen e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komunës së Prishtinës dhe operatorit Vala Mobile, Qart organizon garën mes artistëve të rajonit që u përzgjodhën gjatë fazës konkurruese të zhvilluar dhjetëditëshin e dytë të tetorit.
Artistët pjesëmarrës në Guerilla Art Festival përfaqësojnë shkolla grafiti dhe realitete të ndryshme, çka organizatorët besojnë do të jetë shumë tërheqëse për publikun dhe kalimtarët që do të përcjellin krijimin e veprave artistike gjatë ditës së mërkurë. Tema e punimeve do të jenë reflektimet mbi kryeqytetin e Kosovës, mbi njerëzit dhe arkitekturat që i japin jetë Prishtinës, dhe punimet më të mira do të përfitojnë çmime dhe shpërblime të ndryshme.
Veprat do të qëndrojnë të ekspozuara gjatë dy ditëve, dhe në përfundim të aktivitetit do ti dhurohen Komunës së Prishtinës që të vendosen dhe përdoren në hapësira publike dhe shkolla, sipas nevojave të komunitetit.
Aktivitete e tjera të Guerilla Art Festival do të vazhdojnë deri në fund të vitit 2015. Mbi përmbajtjen dhe datat e sakta do tju informojmë në kohë.