Princi Harry transferohet me shërbim në Londër
Londër, 21 janar - Princi Harry i Britanisë së Madhe po përfundon shërbimin në Aviacionin e Ushtrisë dhe po transferohet për të vazhduar shërbimin në shtabin e Londrës të Forcave të Armatosura, njoftoi Kensington Palace.
Përgjegjësitë e reja të Princ Harry, i cili për më shumë se tri vjet ka shërbyer si pilot helikopteri dhe ka qenë dy herë në Afganistan, do të përfshijnë organizimin e ceremonive solemne, ndër të tjera edhe ato të parashikuara gjatë vizitave shtetërore.
Transferimi i Harry me shërbim në Londër përforcon supozimet mbi fejesën e afërt të djalit më të vogël të Princit Charles të Uellsit me Cressida Bonas, të cilat qarkullojnë kohët e fundit aktivisht në median britanike.