Premiera e filmit Nëntor i Ftohtë sonte në Cineplexx
Prishtinë, 16 nëntor - Filmi Nëntor i Ftohtë i cili e kishte premierën ndërkombëtare në festivalin prestigjioz të kategorisë A, San Sebastian dhe triumfoi në Zurich Film Festival dhe Bosphorus Film Festival, do ta ketë premierën zyrtare sonte në Cineplexx.
Filmi përcjellë Fadilin, i cili punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore në Kosovën e fillimviteve ’90, dhe duhet të zgjedhë mes dy opsione duke qenë i vetëdijshëm se të dyja janë të gabuara.
Projekti filmik Nëntor i Ftohtë me regji nga Ismet Sijarina është produksion i shtëpive filmike Thumbs Up dhe Buka në bashkëprodhim me Albasky Film, AUDIOHAUS, dhe Ikone dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.
Në rolet kryesor paraqiten aktorët Kushtrim Hoxha, Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu, Emir Hadzihafizbegovic, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli. Skenari është shkruar nga Arian Krasniqi e Ismet Sijarina. Drejtor fotografie: Sevdije Kastrati. Montazher: Vladimir Pavlovski. Muzika nga Jericho. Producent: Fatmir Spahiu dhe Arian Krasniqi. Regjia nga Ismet Sijarina.
Nga data 17 nëntor, filmi do të shfaqet për publikun Kosovar në Cineplexx në Prishtinë dhe në Dokukino në Prizren.
Terminet e shfaqjes se filmit Nëntor i Ftohtë në Cineplexx mund të gjeni në webfaqe.