01 Janar 2025

Policia e gatshme të mbrojë dhe të promovojë trashëgiminë kulturore

Prizren, 16 dhjetor - Më shumë se 50 zyrtarë të policisë u mblodhën në Prizren këtë javë për të marrë pjesë në një trajnim tre-ditor mbi mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, në kuadër të projektit \"Ndërtimi i Besimit Përmes Mbrojtjes Kulturore\" të financuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe implementuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Njësiti i Policisës së Kosovës për mbrojtjen e objekteve fetare dhe të trashëgimisë kulturore, drejtoria për planifikimin dhe vlerësimin operacional në Prishtinë, njësiti i policisë në komunitet dhe zyrtarët e policisë nga stacionet lokale që ndodhen në afërsi të objekteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë janë trajnuar në ofrimin e shërbimeve më të mira policore komuniteteve, vendeve të trashëgimisë kulturore dhe në sigurimin e mbrojtjes së pronës dhe sigurinë e njerëzve pa dallim etnie, gjuhe apo gjinie.

Për më tepër, trajnimi u përqëndrua në forcimin e njohurive mbi sfidat që kanë të bëjnë  me punën policore në mjedise shumë-etnike dhe gjithashtu, përmes metodave të angazhimit të komunitetit, në ngritjen e respektit, besimit dhe mirëbesimit në mes të Policisë së Kosovës dhe të gjitha komuniteteve.

Zyrtarët për komunikim të Policisë së Kosovës u njohën edhe me aftësitë e nevojshme të komunikimit për të krijuar dhe mbajtur marrëdhënie efektive me komunitetet në baza ditore.

Përveç kësaj, gjatë trajnimit tre-ditor, pjesëmarrësit përforcuan njohuritë e tyre mbi këto tema duke analizuar studime të rasteve të ndryshme dhe përmes seancave të diskutimit.

Përfaqësuesi  i komunitetit islam, Imam Ali Veizaj, përfaqësuesi i kishës ortodokse serbe Igumani Ilarion nga manastiri Draganac dhe Pal Baftiaj nga Caritas Kosovë përfaqësues i kishës katolike, folën mbi rëndësinë e mbrojtjes së objekteve fetare, si dhe mbi vlerën e këtyre objekteve për trashëgiminë kulturore të vendit.

Në muajin nëntor, u organizua një vizitë studimore katër ditore në Irlandën e Veriut ku morën pjesë shtatë policë të nivelit të lartë nga Policia e Kosovës. Kjo ishte një mundësi që zyrtarët e policisë të shkëmbejnë përvoja të ndryshme me zyrtarët policorë në Belfast, dhe për të mësuar në lidhje me angazhimin e institucioneve të tjera civile në ngjarje të veçanta dhe situata potencialisht të paqëndrueshme.

Projekti Ndërtimi i Besimit Përmes Mbrojtjes Kulturore përqëndrohet në rinovimin, zbukurimin dhe rehabilitimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë, duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in dhe Njësinë për Siguri të ndërtesave dhe Trashëgimisë Kulturore të Policisë së Kosovës. Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të kontribuojë në përmirësimin e tolerancës ndëretnike dhe respektin për identitetin kulturor dhe të trashëgimisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)