'Pesë stinet e armikut te pupullit' sot në Prizren
Prizren, 20 nëntor - Sot në teatrin “Bekim Fehmiu” në Prizren, Qendra Multimedia shfaq dokumentarin 'Pesë stinet e armikut te pupullit', me regji të Blerta Nezirajt.
Në shfaqje luajnë aktorët Armend Smajli, Shpetim Selmani, Verona Koxha, Egzona Ademi, Kushtrim Qerimi dhe Afrim Muçaj, ndërsa muzicientë të shfaqjes janë: Tomor Kuçi, Arbër Salihu dhe Drin Tashi.
E administruar nga UN-i, Prishtina e pasluftës po kërcënohej nga ndërtuesit e fuqishëm ilegalë të cilët, në kundërshtim me të gjitha rregullat urbanistike, po ndërtonin brutalisht në çdo cep të saj. UN-i, në emër të politikave neoliberale të tregut, po e toleronte dhe po i krijonte terren të favorshëm këtij shkatërrimi.
Por në këtë proces ishin të përfshirë poashtu edhe shumë prodhues të materialeve ndërtimore nga vendet tjera të Evropës, të cilët kishin interes nga ky “rekonstruktim i shpejtë”.
Arkitekti e planifikuesi hapësinor Rexhep Luci po përpiqej të vinte kontroll urbanistik. Për kompanitë e ndërtimit e ato të prodhimit, për kastat e korruptuara politike, për mediet oportuniste, për komandantët e luftës, për zyrtarët e UN-it e për shumëkënd tjetër, ai ishte “armiku”. Rexhep Luci ishte kërcënuar me jetë disa herë dhe pastaj edhe ishte vrarë në hyrje të banesës së tij në Prishtinë.
Prishtina, qyteti që ka fituar luftën por e ka humbur paqen, është sot qyteti me ajrin më të ndotur në Evropë.
Kompanitë e ndërtimit vazhdojnë të abuzojnë me dhjetëra mijëra punëtorë të angazhuar në sektorin e ndërtimtarisë, të cilët paguhen keq, punojnë në kushte ekstreme të pasigurisë fizike dhe pa sigurim shëndetësor. Gjatë një viti në Kosovë, në vendin e tyre të punës, vdesin apo pësojnë aksidentqindra punëtorë të këtij sektori. Familjet e tyre nuk kompensohen kurrë.
'Pesë stinet e armikut te pupullit', flet për “heroin që komprometohet nga shumica” dhe për “përgjegjësinë e shumicës, si armike e të vërtetës dhe lirisë” (Ibsen, përmes Stockmann).
Por kjo shfaqje na flet edhe për hipokrizinë e misioneve të paqes të UN-it, të cilat, në emër të stabilitetit politik, në emër të paqes, zhvillimit e të rikonstruktimit, mbyllin sytë përballë dr. Stokmanëve, dhe rrjedhimisht, bëhen pjesëmarrës në vrasjen e tyre.