Persida e Zyberaj vazhdojnë bashkëpunimin
Tiranë, 9 shtator - Një delegacion i BKK-së Pjetër Bogdani, i përbërë nga Bedri Zyberaj, u.d. i drejtorit, Sali Bashota, kryetar i Këshillit Drejtues dhe Dashamir Bërxulli, anëtar i Këshillit Drejtues, vizituan sot Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe u takuan me Persida Asllanin, drejtoreshë, dhe Etleva Domin, nëndrejtoreshë.
Drejtuesit e BKK-së Pjetër Bogdani ia uruan detyrën e re drejtoreshës Asllani, duke i dëshiruar suksese dhe avancim të institucionit që ajo drejton. Drejtoresha Asllani shprehu kënaqësinë që delegacioni i parë që po pret, pas pranimit të detyrës, është nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e veçantë të bashkëpunimit midis dy institucioneve.
Në takim mes udhëheqësve të bibliotekave është diskutuar për finalizimin e projekteve ekzistuese dhe inicimin e projekteve të reja të përbashkëta. Përfaqësuesit e të dyja institucioneve më të larta të bibliotekarisë në vendet respektive u angazhuan për një intensifikim të bashkëpunimit në interes të kulturës kombëtare.