Përmbyllet projekti Ulpiana 2015
Prishtinë, 19 dhjetor - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, e shoqëruar nga zëvendësministrja Elfete Shabani, mori pjesë në përmbylljen e projektit Ulpiana 2015, në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës.
Përmes këtij projekti janë finalizuar drenazhimi, konservimi dhe restaurimi i pjesëve të caktuara, kryesisht në pjesën e Portës Veriore të këtij lokaliteti.
Ministri Shala e vlerësoi punën e bërë në kuadër të këtij projekti që ka realizuar Instituti Arkeologjik i Kosovës, sidomos atë të drenazhimit dhe të konservimit, që mundësojnë ruajtjen e lokalitetit.
Ministri tha se MKRS-ja, vitin tjetër, ka në plan pajisjen e lokalitet me ndriçim dhe mbështetjen e gërmimeve të reja në këtë lokalitet. Ministri paralajmëroi se do të shohin mundësinë e shpronësimit të pjesëve të cilat vlerësohen të rëndësishme për gërmimet e reja.
Synimet e MKRS-së janë që vitin tjetër ky lokalitet arkeologjik të shndërrohet në park arkeologjik si një mundësi e promovimit të trashëgimisë tonë kulturore dhe si pikë turistike për vizitorët e interesuar.
Ndërkaq, bartësi i këtij projekti, arkeologu Milot Berisha, shpjegoi për pjesët që kanë restauruar. Ai u shpreh se kanë bërë një sistem drenazhimi që bën të mundur kullimin e ujit që mblidhet në lokalitet. Kësisoj, ruhet lokaliteti prej dëmtimit nga uji.
MKRS-ja për vitin e ardhshëm, për gërmime dhe konservim/restaurim për lokalitetin e Ulpianës ka ndarë 100 mijë euro.