Përmbyllet festivali i filmit "Hyjnesha në Fron"
Prishtinë, 22 nëntor - Festivali pesë ditor i filmit Fest Film Kosova Hyjnesha në Fron është përmbyllur në atmosferë spektakulare dhe në prezencën e qindra musafirëve dhe spektatorëve nga vendi, rajoni e bota.
Nga filmat e metrazhit të gjatë, juria në përbërje të Enver Petrovcit, Moni Damevskit dhe Alfred Trebicka kanë shpallur çmimet e fituesve.
Filmi nga Çekia In Silence, i regjisorit Zdenek Jirasky ka fituar tre cmime, Çmimin Filmi më i Mirë i Festivalit , pastaj Çmimin Regjia më e Mirë si dhe Çmimin Skenari më i Mirë.
Çmimin Roli Kryesor - Aktorja më e Mirë e ka fituar Njomëza Fetiu për rolin e saj në filmin Babai im, kurse Çmimin Roli Kryesor - Aktori më i Mirë, e ka fituar Simon Berger, që luajti rolin kryesor në filmin e regjisorit suedez, Mikael Marcimain, Call Girl .
Nga filmat e metrazhit të shkurtër , Çmimin Filmi më i Mirë iu nda filmit të regjisores Una Gunjak, The Chicken.
Çmimi Kinemaja e së Ardhmes, iu nda filmit kosovar Pandora , film ky i realizuar nga Arlinda Morina, kurse Çmimin Special e fitoi filmi nga Shqipëria Vrasësit , i regjisorit Ergys Meta.
Fest Film Kosova Hyjnesha në Fron ka ndarë edhe Çmimin Special për Vepër Jetësore, i cili sivjet iu nda aktores nga Shqipëria, Marjeta Larja.
Gjatë Festivalit ndërkombëtar të filmit Hyjnesha në Fron janë shfaqur 16 filma të metrazhit të shkurtër dhe 5 të metrazhit të gjatë.
Festivali pesë ditor është mbajtur në Stacionin Hekurudhor në Fushë Kosovë, ku për herë të parë filmat janë shfaqur edhe në tren, e jo vetëm në ambiente klasike sic janë sallat e teatrove apo sallat kinematografike.