Përfundon punimet konferenca dyditore e Javës së Gruas
Prishtinë, 15 mars - Kanë përfunduar me sukses punimet e konferencës dyditore në kuadër të Javës së Gruas 2023, e organizuar nga Instituti Kombëtar Demoktratik (NDI), mbështetur nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
NDI gjithashtu falenderon Ambasadën e Kanadasë në Kroaci dhe Kosovë për mbështetjen e programit dyditor të Javës së Gruas 2023.
Në ediconin e 10-të të Javës së Gruas, mbi 120 pjesemarrës u bashkuan për temën “Barabarësia: Parakusht për Ripërtrirje të Demokracisë”, ndërsa në panelet diskutuese përgjatë dy ditëve u trajtua krijimi i ambientit gjithëpërfshirës për rekrutimin dhe mbajtjen e grave dhe të rinjve në partitë politike; lidhshmëria në mes të fuqizimit ekonomik të grave dhe rritjen e numrit të tyre në politikëbërje si dhë përfaqësimit kuptimplotë; progresi i grave në qeverisje lokale dhe çfarë mbetet për t’u bërë tutje nga partitë politike dhe institucionet qeveritare për të siguruar barabarësi; dhuna ndaj grave në politikë dhe përfaqësimi i tyre në media.
Në ditën e parë pjesëmarrëse ishte edhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila tha se barazia dhe barabarësia janë të vendosura lartë në agjendën e Kosovës.
“Gratë dhe burrat së bashku kanë udhëhequr zhvillimin tonë demokratik, prandaj zëri i burrave dhe i grave duhet të dëgjohet barabarësisht, dhe qeveria duhet ta mbështesë atë” – deklaroi Presidentja Osmani.
Në ndërkohë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ftuar si panelist në hapje të Javës së Gruas, foli për barabarësinë si vlerë të domosdoshme për zhvillim shoqëror dhe demokratik. “Nuk mund të kemi demokraci pa barazi gjinore, dhe nuk mund të kemi barazi shoqërore pa barazi gjinore” – deklaroi Kryeministri Kurti. Tutje, kryeministri përmendi faktin se pjesmëmarrja e grave në shoqëri, arsim, ekonomi dhe fusha tjera është gjithnjë e në rritje.
Dita e dytë e Javës së Gruas vazhdoi me panele diskutimi ku liderë dhe përfaqësues partish në Kosovë, udhëheqës mediatik, dhe Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, diskutuan me pjesëmarrësit rreth barabarësisë si parakush për zhvillim demokratik.
Java e Gruas 2023 vazhdoi me shfaqjen e filmit dokumentar “Çmimi I lartë për gratë në lidership: Dhuna ndaj grave në politikë”, i pasuar me një diskutim me Ministrën e Drejtësisë Albulena Haxhiu, e cila foli për dhunën ndaj grave në politikë. “Dokumentari na tregon se pavarësisht subjektit politik apo institucionit që i takojmë, dhuna ndaj grave është e shprehur kudo. Secila prej nesh jemi përballur me sulme, linçime, gjuhë seksiste dhe mizogjene. Për këtë arsye, së fundmi në Kuvendin e Kosovës kemi bërë disa ndryshime në kodin penal të Kosovës, i cili tani parasheh penalizimin e dhunës ndaj grave” – deklaroi Ministrja Haxhiu.
Konferenca u mbyll me fjalimin e Ambasadores Nancy Soderberg, Drejtore e NDI në Kosovë, e cila falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e Javës së Gruas 2023, liderët politik, mediat dhe donatorët për përkrahjen. “Java e Gruas dëshmoi që është bërë mjaft progres në barazinë gjinore dhe sociale, por të gjithë duhet të punojmë më shumë që të arrijmë këtë qëllim. Java e Gruas do të vazhdojë të punojë në arritjen e këtij qëllimi përgjatë muajvë në vazhdim në Komuna të Kosovës, dhe do ta ketë konferencën përmbyllëse në shtator” – përfundoi Ambasadorja Soderberg.
Një ndër qëllimet kryesore të këtij edicioni të Javës së Gruas është që përmes temës kryesore të diskutohet për barabarësinë (ose barazinë e drejtë) si parim kyç në politikëbërje për të siguruar një demokraci më të qëndrueshme që i përgjigjet të gjithë qytetarëve.
Java e Gruas është ngjarje vjetore e organizuar në nivel vendi, e vendosur në një mjedis multietnik që bashkon më shumë së 120 gra dhe burra nga partitë politike, shoqëria civile, biznesi, media dhe nga akademia me qëllim të ngritjes së kapaciteteve ekzistuese të grave lidere që të synojnë pozita më të larta udhëheqëse.