Përfundojnë xhirimet e filmit ‘Table Stories’ nga Samir Karahoda
Prishtinë, 15 mars - Projekti filmik i shkurtër hibrid “Table Stories” me regji dhe skenar nga Samir Karahoda, dhe me producent Eroll Bilibanin, ka përfunduar xhirimet përkundër vështirësive të shkaktuara nga pandemia.
Filmi bazohet në ngjarjet e vërteta të anëtarëve të ekipit të pingpongut në Prizren, të cilët pas pranimit të Kosovës në Federatën Ndërkombëtare të Pingpongut me të drejta të plota, e kuptojnë që ata nuk kanë hapësirë për stërvitje.
Kjo i shtyn këta entuziastë të mobilizohen për ta riaktivizuar klubin dhe mbajtur gjallë ëndrrat dhe vetë këtë sport në qytet.
Projekti është financuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëfinancuar nga Komuna e Prishtinës, Komuna e Prizrenit, në koproduksion me Televizionin Kulturor Europian ARTE dhe mbështetur logjistikisht nga DokuFest.