Peregrina e Liz Taylor shitet për 11 milionë dollarë
New York, 14 dhjetor - Peregrina e famshme, perla unike e shekullit XVI që ishte pjesë e koleksionit të xhevahireve të Elizabeth Taylor, është shitur nga Christies në New York për 11.84 milionë dollarë.
Ky është një rekord botëror përsa i përket shitjes së një bizhuterie me perlë. Perla, e varur në një varëse me diamantë, rubinë dhe perla të tjera është një dhuratë që Richard Burton i ka bërë divës së kinemasë.
Cmimi fillestar i Peregrina-s ishte 3 milionë dollarë. Ankandi i Christies u hap të martën për koleksionin e ish-divës së Hollywood-it Elizabeth Taylor dhe nga shitjet u grumbulluan plot 116 milionë dollarë. Vetë organizatorët prisnin që shifra të mos ishte më e lartë se 30 milionë.
Ankandi i Christies do të vazhdojë të mërkurën me koleksionin e rrobave të Taylor ku bien në sy fustane të Pucci-t të viteve 60, xhaketa të Versace-s dhe disa veshje të Christian Dior.
Elizabeth Taylor u nda nga jeta në marsin e kaluar në moshën 79-vjeçare pas një infarkti në zemër.