10 Janar 2025

Për katër monografitë e Demë Mulliqit

Berat Armagedoni

Prishtinë, 13 shkurt - “Shkollat e mesme të Pejës nën okupim : 1990/91-1997/98” është tekst mjaft me interes për punonjësit e arsimit të gjithë Rrafshit të Dukagjinit, pasi pasqyron organizimin e shkollave të mesme në Komunën e Pejës.

Mulliqi, duke dashur ta kujtojë e të na shpalosë në faqe libri atë organizim të këtyre shkollave për tetë vjet, e ka shkruar këtë monografi duke mbledhur dokumente për shkollat e Komunës së Pejës në gjithë Pejën, duke i dokumentuar, me fotografi e faksimile, e komentuar me të dhëna e data të sakta qoftë themelimin e shkollave, qoftë dhunën që kanë përjetuar punonjësit e nxënësit e tyre nga serbët.

Në këtë studim monografik shohim se për tetë vjet (1990-1998) shkollat e mesme të Pejës, as Gjimnazi, as Shkolla e Mesme Ekonomike, as e Artit, as Bujqësore, as “Ali Kelmendi” s’kanë përjetuar ditë të mira. S’kanë përjetuar pasi mbi këto institucione arsimore është ushtruar dhunë nga pushtuesi serb, i cili i ka rrahur arsimtarët, i ka përndjekur, i ka helmuar shumë të rinj shqiptarë.

Por, pavarësisht këtyre pengesave të mëdha që i bëheshin arsimit shqip, ai s’u ndal asnjëherë, se u zhvillua në shtëpitëshkolla nga ata mësues kokëfortë e të pathyeshëm që dëshironin ta shpërndanin tek gjeneratat e reja arsimimin në gjuhën shqipe, duke punuar për muaj të tërë edhe pa rrogë, të cilët Mulliqi i përmend një nga një.

Ndër të tjera, në këtë monografi Mulliqi ka përmendur drejtorët e të gjitha shkollave të mesme të Pejës, zëvendësdrejtorët, këshillin e shkollës, planprogramet mësimore. Po ashtu, ka bërë një listë të gjatë të mësimdhënësve të maltretuar, përndjekur, rrahur gjatë viteve 1990-’98.

“Rrugëtimi i shkollës dhe arsimit në Komunën e Pejës deri në vitin 1945”, edhe pse i botuar pas monografisë “Shkollat e mesme të Pejës nën okupim : 1990/91-1997/98”, shkon përtej saj. Siç vëmë re që në titull, hulumtimi nis prej themelit, prej kur nisi shkolla e parë në këtë komunë, deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore.

Mulliqi, në parathënie të kësaj monografie, thotë: “Shkolla shqipe gjer sa arriti në rrymimin e lirshëm kaloi një rrugë të thepisur, në të cilën mbeten pjesë gjaku, mishi e kockash të pishtarëve të arsimit, dijes e përparimit të kombit”.

Dhe s’ka si mos të ketë qenë e thepisur kur këtij populli s’i janë ndal pushtuesit kurrë, duke i marrë territor, duke e plaçkitur pasurinë e tij të tundshme, duke ia imponuar kulturën e vet e shpërbërë të tijën.

Ndërkaq, monografia tjetër e tij, “Shkolla Fillore ‘Zilja e Thyer’ në Mal të Zi (1998/99)”, është një prej monografive më specifike për shkak se objekt të studimit e të kërkimit të saj janë nxënësit e Kosovës të shkolluar jashtë vendlindjes, në vitet 1998-’99; strehimi i popullatës së Kosovës në Mal të Zi, në qytetet Rozhajë, Plavë-Guci, Tuz, Ulqin; themelimi i Shkollës Fillore “Zilja e Thyer”, nxënësit e kësaj shkolle nga komunat e Kosovës si nga: Deçani, Peja, Klina, Skenderaj, Gjakova, Mitrovica, Istogu, Prishtina, Rahoveci, Prizreni, Suhareka, Vushtrria, Lipjani, Ferizaj, Podujeva, Gjilani, Malisheva, Shtimja, Kamenica etj.; pastaj regjistrimi i disa prej këtyre nxënësve në fakultet etj.

Rëndësi të madhe Mulliqi u kushton edhe aktiviteteve të Shkollës Fillore “Zilja e Thyer” sikur, t’i përmendim me këtë rast: Ditën e Mësuesit, ekspozitat e ndryshme të nxënësve, turnirin në futboll të vogël, vizitat e nxënësve të Kosovës në qytete të Malit të Zi. Sikurse në dy monografitë e mëparshme, edhe në këtë Mulliqi ka përmbledhur dokumente të ndryshme: faksimile, artikuj të shkëputur nga gazetat, fotografi etj., me të cilët ka dëshmuar se, për ta shkruar këtë tekst, i është dashur kohë e gjatë në mbledhjen e fakteve e pasqyrimit të tyre.

Por, pavarësisht hulumtimit kohë të gjatë, e ka shkruar këtë monografi pasi, siç thekson vetë autori në parathënien e saj: “Kemi obligim kombëtar për të mos i lejuar vetes që të na zhduket pa gjurmë [...] kontributi i dhënë në realizimin e një viti shkollor në rrethana të jashtëzakonshme me status ndërkombëtar si refugjatë, edhe pse realisht statusi i tyre ishte i të përndjekurve”.

Në monografinë tjetër të Demë Mulliqit, “Raushiqi mbi themelet e antikitetit : (monografi)”, janë përfshirë gjërat më të veçanta të cilat e karakterizojnë vendlindjen e tij, Raushiqin, i cili, sipas Mulliqit, është një vendbanim me një histori shumë të lashtë dhe ende e panjohur detajisht.

Ky libër është i ndarë në pesë pjesë. Siç e do rendi, në pjesën e parë fillimisht është paraqitur një historik i shkurtër i fshatit Raushiq, i emrit të tij dhe i pozitës gjeografike të tij, gjendja e fshatit, veprimtaria e fshatarëve, ekonomia e tyre prej periudhës iliro-romake deri në përfundimin e luftës së fundit në Kosovë.

Në pjesën e dytë, e cila është më e shkurtra se tri të tjerat, jepet një historik i arsimit dhe arsimimit në fshatin Raushiq deri në ditët e sotme.

Në të para nesh kalon arsimimi në kohën e pushtuesve, gjeneratat e para të shkollimit në gjuhën shqipe të viteve 1945-1946, veteranët e parë të arsimit, numri i nxënësve nga viti 2003 deri në vitin 2011, drejtorët e shkollave të këtij fshati, arsimtarët, shkollimi i tyre.

Ndërkaq, në pjesën e tretë të kësaj monografie është bërë krahasim i kulturës së këtij fshati në kohë të ndryshme, duke përfshirë: stilin e veshjes, ceremonitë e ndryshme familjare (lindjet e fëmijëve, synetit, fejesat, kënagjeqet, dasmat, përcjelljet e meshkujve në shërbimin ushtarak, festat e bajrameve); darkat e ndryshme (e Hoxhës, e lamës, e pastermës, e verës, e Shëngjergjit); ritet dhe zakonet mortore, deri edhe shërbimet fetare në xhami.

Kurse në pjesën e parafundit, në të katërtën, Mulliqi shkruan për përbërjen, prejardhjen, gjenealogjinë dhe rriten e disa familjeve të mëdha; për familjen: Ademaj, Zeqiraj, Haxhiaj, Mehmetaj, Bajraktaraj, Mulliqaj, Imeraj, Fetahaj etj.

Ndërkaq, në pjesën e pestë dhe të fundit të saj, bëhet fjalë për toponiminë e fshatit dhe fjalët e shprehjet e rralla, dy elemente që, sipas autorit, çdo ditë po zhduken pak nga pak.

Pos literaturës, në këtë monografi autori ka referenca edhe disa persona (rrëfime gojore), me të cilët është konsultuar rreth përbërjes së këtij fshati, familjeve, prejardhjes së tyre etj. Gjithashtu, ky tekst ka edhe shumë faksimile e fotografi.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)