Pavarësia e Kosovës shfaqet sërish në Beograd
Beograd, 13 dhjetor - Aktorët nga Kosova shfaqën një komedi politike në Kryeqytetin Serb e cila përshkruan shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Numri i policëve serbë ishte pothuajse sa numri i shikuesve, mbi 60 vetë.
Artistë nga Kosova arritën në Beograd me shfaqjen `Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës`. Kjo shfaqje ftohet për të dytën herë në kryeqytetin serb, por tashmë me përcjellje policore, dhe roje para teatrit. Kjo si pasojë e tensionimeve të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve, pas ndeshjes së futbollit Serbi Shqipëri.
Megjithëkëtë, regjisori Jeton Neziraj, shprehet i kenaqur me interesimin e publikut, nga skena e artit dhe kulturës në Serbi.
`Shihet se ka pasur ndryshime radikale të raporteve shqiptaro-serbe, këtu në Beograd, pas incidentit të ndeshjes së futbollit këtu. Mirëpo, megjithë këto tensione, pra edhe që publiku ka ardhur me tension, ashtu edhe për neve nga Kosova, kemi qenë në tension, publiku shfaqjen e priti me interesim dhe ngrohtësi`\', thote regjisori Neziraj.
Numri i shikuesve ishte po aq sa policët që e ruanin këtë shfaqje, mbi 60 vetë, në Tetarin Rex, në Beograd. Aktorë të famshëm nga Serbia si Miki Manojlovic dhe të tjerë shprehën interesimin ti përcjellin kolegët e tyre nga Prishtina. E poashtu interesim shprehën edhe diplomatë nga Kosova dhe vendet e tjera të rajonit, përveç atyre të Serbisë. `Krejt kjo shfaqje tregon një realitet të ri që Pavarësia e Kosovës ka sjellë, dhe kjo nuk pritet mirë në Beograd, jo vetëm nga politika por edhe nga bota e artit, të cilët e kanë ende të vështirë te pranojne një realitet të tillë në Beograd`, thote Ardian Morina.
Fluturimi mbi teatrin e Kosovës është një komedi politike mbi njërën nga ngjarjet më të rëndësishme të këtij shekulli lindjen e shtetit të Kosovës. Kjo është një komedi për Kosovën e re që, e lodhur dhe e rrënuar nga lufta, varfëria, dhe keqmenaxhimet e misioneve ndërkombëtare, qe përpiqet ta gjejë rrugën e vet drejt të ardhmes. Kjo komedi politike deri tash, është shpërblyer me disa çmime ndërkombëtare. (rtk)