Pas katër çmimeve filmi Babai premierë në Karlovy Vary
Munchen, 5 korrik - Rrëfimi i Nolit (Val Maloku), i fëmijës që shet cigare në rrugë bashkë me të atin Gëzimin (Astrit Kabashi) në Kosovën e viteve të nëntëdhjeta ku babai dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani u dha premierë ndërkombëtare sot në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Karlovy Vary.
Pas suksesit që filmi Babai pati në Filmfest Munchen, ku edhe u shpërblye me çmimet regjia më e mirë Visar Morina, skenari më i mirë Visar Morina, aktori më i mirë Astrit Kabashi dhe Val Maloku si dhe me çmimin One Future Prize, tani ky film është në konkurrencë zyrtare në Karlovy Vary që njihet si një ndër festivalet më të rëndësishme të filmit në botë.
Të pranishëm në premierë përveç regjisorit Visar Morina dhe producentëve Nicole Gerhards, Visar Krusha, Tomi Salkovski, Xenia Margot ishin edhe aktorët kryesor të filmit: Astrit Kabashi, Val Maloku, Adriana Matoshi, Enver Petrovci, Xhevdet Jashari, Aurita Agushi, Armend Ismajli si dhe drejtori i QKK-së Arben Zharku.
Gjithashtu në Karlovy Vary do të shfaqet premierë edhe filmi Krom me skenar dhe regji nga Bujar Alimani si pjesë e programit East of the West, ndërsa filmi Burnesha do të shfaqet si përzgjedhje e magazines së famshme Variety.