29 Dhjetor 2024

Pas 15 gushtit veprime në terren për luftimin e piraterisë

Prishtinë, 30 korrik - Duke mbrojtur krijimtarinë origjinale, në fakt ne vetëm se do t’i ndihmojmë ekonomisë, do të shtojmë krijimtarinë origjinale dhe qytetari do të ketë para vetës vlera të mirëfillta dhe prodhime cilësore, krijuesit do të kenë më shumë motivim për punë, sepse do të kenë përfitime meritore, ndërsa vendi ynë do të bëhej një qendër ku investimet nga jashtë do të ishin më të sigurta.

Kështu tha sot Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Memli Krasniqi, në fjalën e tij në konferencën “Pirateria dhe shkeljet e tjera të së Drejtës së Autorit”, që u mbajt në Prishtinë, e ku kanë marrë pjesë, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, njëherësh Zëvendëskryeministre e Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari –Lila,  përfaqësues nga institucione të shumta vendore që ndërlidhen me këtë sferë, përfaqësues të odave ekonomike, përfaqësues nga Komisioni Evropian, kompanisë Microsoft, dhe krijues të fushave të ndryshme.

Konferenca e mbajtur sot është në kuadër të fushatës kundër piraterisë që MKRS ka nisur muaj më parë me moton ‘Stop Piraterisë’. Fushata është një nismë e Task Forcës Kundër Piraterisë dhe Falsifikimit, mekanizëm ky i themeluar muaj më parë nga Qeveria e Kosovës.

Ministri Krasniqi tha në fjalën e tij se pirateria është një problem global dhe si e tillë është një sfidë për ta luftuar. Ai shtoi se Kosova tani ka hyrë në një rrugë me shtete që seriozisht e trajtojnë këtë çështje dhe ku rezultate nuk mungojnë.

“Gjendja në terren ende mbetet jo e mirë, por baza e nevojshme ligjore dhe institucionale është plotësuar. Ju e dini që ne kemi një ligj mjaft të vlerësuar për të drejtën e autorit, kemi nxjerrë rregulloret për themelimin e shoqatave kolektive dhe atë për ndërmjetësim, janë themeluar dy shoqata kolektive, janë licencuar ndërmjetësues të fushës të së drejtës së autorit, është miratuar strategjia dhe plani i veprimit kundër piraterisë dhe falsifikimit si dhe është themeluar Task Forca Kundër Piraterisë.

Po ashtu, shkelja e së Drejtës së Autorit ka hyrë në mesin e veprave penale, dhe janë ndërmarre shumë hapa të tjerë konkret e të cilat rrjedhimisht kanë ndryshuar gjendjen në këtë fushë”, tha ai.

Krasniqi ka paralajmëruar se pas kësaj fushate, që mbaron më 15 gusht, do të ketë hapa edhe më konkret në luftimin e piraterisë.

Gjithsesi, ai ka shprehur bindjen se tregtarët e produkteve të ndryshme, e që vlerësohet se janë pirate dhe të falsifikuara duhet të fillojnë të bashkëpunojnë me institucionet, pasi siç ka thënë Ministri Krasniqi, mbrojtja e krijimtarisë origjinale është në dobi të gjithë ekonomisë vendore dhe zhvillimit shoqëror në përgjithësi.

“Fushata informuese kundër piraterisë është, para së gjithash, një thirrje për subjektet ekonomike që operojnë në tregun e Kosovës që të fillojë të respektojë krijimtarinë origjinale dhe pronën intelektualëve të të tjerëve, por gjithsesi thirrje edhe për të gjithë qytetarët, që të mos mbështesin shitjen dhe shpërndarjen e produkteve pirate dhe të falsifikuara, qofshin ato libra, CD muzikore, DVD filmike, softuerët apo të tjera”.

Ministri ka vlerësuar si aspekt shumë të rëndësishëm vetëdijesimin dhe vullnetin që grupet e interesit tashmë kanë për luftimin e piraterisë. Komuniteti artistik, komuniteti i krijuesve, tha ai, janë vetëdijesuar mjaft dhe po angazhohen më shumë që të mbrojnë të drejtat e veta dhe pronën e vet intelektuale.

Kjo ka ndodh, shtoi ai, veçanërisht në kohën kur përfitimet financiare përmes shërbimeve që ofrohen përmes internetit tashmë janë burim i rëndësishëm i fitimeve për të gjithë krijuesit.

Në këtë aspekt ai ka çmuar edhe faktin se edhe mediet po i kushtojnë më shumë hapësire këtyre çështjeve, meqë e drejta e autorit është kruciale edhe për veprimtarinë e tyre.

Nga ana tjetër, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, konsideroi se konferenca e organizuar është një faktor që ndikon në luftimin e ekonomisë informale, mbrojtjen e konsumatorit nga një këndvështrim tjetër.

“Pirateria dhe falsifikimi në të drejtën e autorit kanë ndikim të veçantë për krijimin e një ekonomie të lirë të tregut dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Produktet false jo vetëm që shkelin të drejtat pronësore intelektuale por të njëjtën kohë dëmtojnë edhe ekonominë kosovare”, tha Ministrja Kusari-Lila.

Gjithashtu, Ministrja Mimoza Kusari-Lila shprehu gatishmërinë e saj dhe të Ministrit Krasniqi për thellimin e mëtutjeshëm në mënyrë që komunitetet e biznesit dhe të artistëve të informohen dhe të dinë si t’i mbrojnë të drejtat e tyre.

“Vullneti im personal dhe i Ministrit Krasniqi është që Agjencia për Pronësi Industriale (API) dhe Zyra për të Drejtat e Autorit (ZDA) të vazhdojnë më tutje të thellojnë bashkëpunimin duke përmirësuar këtë fushë të rëndësishme për kulturën dhe tregtinë në Kosovë.\"

\"Ky bashkëpunim do të ndihmojë komunitetin e biznesit dhe të artistëve që të jenë të interesuar të informohen më shumë se si t’i identifikojnë të drejtat pronësore e intelektuale që posedojnë dhe më pas t’i mbrojnë këto të drejta në mënyrën më efikase,” theksoi Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari - Lila.

Ajo shtoi me tutje se pa mbrojtjen e ideve, zbulimeve, shpikjeve dhe krijimeve artistike, jeta kulturore dhe ekonomike e Kosovës do të vuaj edhe më tutje dhe duke konsideruar se është obligim i të gjithëve ta ruajmë këtë kreativitet.

Ndërkaq, Evegenyia Tabova, udhëheqëse e projektit të BE-së në Kosovë për forcimin e sistemit të të drejtave pronësore intelektuale, tregoi se në Kosovë sheh një përkushtim të thellë politik për të shënuar progres në lidhje me luftimin e piraterisë dhe në mbrojtjen e të Drejtës së Autorit dhe të Pronësisë Intelektuale në përgjithësi.

“Është para se gjithash një mbrojtje e krijimtarisë, dhe po ashtu kjo dërgon edhe një krijimin e mundësisë dhe rrethanave më të mira për ardhjen e investimeve nga jashtë”, u shpreh Tabova.

Në konferencë ka referuar edhe Zuzana Predigerova, Menaxhere Kundër Piraterisë në kompaninë Microsoft, e cila u fokusua të problemet që ndërlidhen me piraterinë në fushën e softuerëve dhe demet që me këtë rast i bëhen ekonomisë së vendit.

Për dëmet që pirateria i bën ekonomisë së vendit kanë referuar edhe Safet Gerxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike në Kosovës, si dhe Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i  Odës Ekonomike Amerikane.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)