Paragllajdistët bëhen me libër
Prishtinë, 21 maj - Libri TEORIA E PARAGLLAJDIZMIT i autorit Avdi J. Shala, hetues i Sigurisë dhe Aksidenteve Ajrore në Komisionin për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA) në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, është promovuar të mërkurën në prani të shumë personaliteteve nga institucionet shtetërore, politika, miq dhe dashamirë të paragllajdizmit.
Moderatori i këtij përurimi, Afrim Aziri, pilot dhe ish-drejtor i Federatës Aeronautike të Kosovës, ndër të tjera ka thënë se jo vetëm Kosovës, por edhe shteteve të rajonit i është ofruar një libër, në të cilin gjenden krejt çfarë duhen për ta mësuar teorinë për pilotët-paragllajdë. Ka pasur edhe më herët teori për paragllajdizëm, por nuk kanë qenë të përfshira të gjitha në një libër. Prandaj e përgëzoj z. Shala për kontributin që ka dhënë për pasurimin e këtij lëmi, ka thënë Aziri, i cili momentalisht punon në Departamentin e Sigurisë në Shërbimet e Navigimit Ajëror.
Recensenti i parë i librit, Besnik Hajdari, pilot dhe njëherësh sekretar i Federatës Aeronautike të Kosovës në fjalën e tij është ndalur te rëndësia që ka libri për këtë federatë e po ashtu për të gjithë ata që duan të merren me paragllajdizëm. Kosovës i ka munguar një libër i tillë, ka thënë ndër të tjera ai.
Ndërsa recensenti i dytë, Sherif Gosalci, specialisti i Meteorologjisë së Aviacionit, ka folur për rëndësinë që ka Meteorologjia në raport me paragllajdizmin.
Ai e ka çmuar lart botimin e librit, në të cilin një rëndësi e veçantë i kushtohet Meteorologjia, e cila është e lidhur ngushtë me zhvillimin e paragllajdizmit.
Edhe Fadil Gërguri, drejtori në detyrë i Federatës Aeronautike të Kosovës e ka vlerësuar lartë botimin e këtij libri. Bile ai ka thënë se ky libër ka parë dritën e botimit pak ditë para se Federata Aeronautike e Kosovës ta përfaqësojë vendin tonë në një garë ndërkombëtare të paragllajdizmit në Gjermani.
Avdi J. Shala, autor i librit TEORIA E PARAGLLAJDIZMIT, pasi ka përshëndetur të pranishmit për pjesëmarrje, është shprehur se pas këtyre vlerësimeve të kolegëve të tij për librin, kishte mbetur pak për të thënë, por megjithatë ka shtuar se vendet e zhvilluara mendojnë shumë edhe për kohën e lirë të qytetarëve të tyre, që tu ofrojnë sa më shumë mundësi interesante dhe atraktive, si fluturimi sportiv/rekreativ.
Fundjava e organizuar me miq e shokë, krahas fluturimit është një mundësi më shumë për shoqërim e njohje me njerëz profilesh të ndryshme. Ky sport mbledh rreth vete njerëz nga të gjitha shtresat shoqërore, por kohën e fundit sidomos menaxherët e fushave të ndryshme, si mënyrë për ta larguar stresin e punës po e gjejnë vetën gjithnjë e më shumë në këtë sport, i cili e rritë adrenalinën, ka thënë Shala, duke shtuar se fluturimi me paragllajd i përafrohet më së miri ëndrrës së njeriut për ta përjetuar ndjenjën e fluturimit të lirë si një zog.
Me një kosto të ulët e më pak përpjekje, fluturimi u mundësua për shumëkënd. Duke iu falënderuar pajisjeve të nevojshme, që kanë një vëllim e peshë prej vetëm rreth 15 kilogramësh, që mundëson bartjen e tyre në një çantë shpine, ky sport mund të krahasohet me alpinizmin, çiklizmin, skijimin, etj.
Paragllajdizmi cilësohet si fluturimi më i thjeshtë dhe më i sigurt, ka deklaruar Shala, duke shtuar se megjithatë, paragllajdizmi lehtë mund të kthehet në një sport shumë ekstrem. Andaj është e domosdoshme që ata, të cilët dëshirojnë të fluturojnë me paragllajd, domosdoshmërish, së pari ta ndjekin një shkollim profesional. Me pak fjalë, ky libër, jo vetëm që i dedikohet piloteve-nxënës dhe mësuesve të fluturimit, por edhe lexuesit kureshtarë, sepse nëpërmjet tij njihen me natyrën e këtij sporti dhe e kuptojnë sesa lehtë është të bëhesh pilot i paragllajdizmit, është shprehur Shala.
Më një fjalë përshëndetëse para të pranishmëve është paraqitur edhe profesori dhe eksperti i Ekonomisë, Musa Limani.
Ky libër, botues i të cilit është Republika e Kosovës, Zyra e Kryeministrit, është prezantuar si një produkt i kësaj zyre.
Libri në fjalë, është i pari i kësaj fushe, i botuar në gjuhën shqipe dhe shërben për përgatitjen e pilotëve-nxënës, për provimin teorik për marrjen e licencës së pilotit dhe po ashtu mësuesve të pilotimit ua lehtëson dhënien e përvojës së tyre pilotëve-nxënës.
Po ashtu libri përmban materiale mjaft të mira për lexuesit kureshtarë, për ata që duan ta njohin këtë sport dhe ta kuptojnë, sesi një fluturake më e rëndë se ajri mund të fluturojë. (Adifete Bela)