Pagarusha: Kam kënduar me gjuhën e popullit
Prishtinë, 28 maj - Unë kam pas detyrë të prezentoj këngën popullore të popullit tim dhe kam kënduar me gjuhën e popullit, ka thënë të enjten mbrëma Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha, në një bashkëbisedim me studentët e Institutit për Studime Pjetër Budi.
Në kuadër të manifestimit Ditët e Hapura të Pjetër Budit mbrëmë për sudentët e Institutit Pjetër Budi është organizuar një bashkëbisedim i hapur me Bilbilin e Kosovës, Nexhmie Pagarusha, dhe veteranin e gazetarisë dhe shkrimtarin Ramiz Kelmendi.
Unë kurrë se kam ditur që do të bëhem e famshme
për herë të parë kam kënduar në Radio Prishtinën, ka thënë znj.Pagarusha, derisa i është përgjigjur pyetjeve të studentëve rreth karrierës së saj.
Ndërkaq, veterani i gazetarisë Ramiz Kelmendi duke folur për kontributin e znj.Pagarusha, ka thënë se kënga shqiptare mban emrin Nexhmije Pagarusha.
E pyetur se sa pëlqen muzikën që tashmë është prezente, Bilbili i Kosovës ka thënë se në art të gjithë janë të njëjtë, por ka kërkuar nga mediat që të luajnë një rol më të madh në promovimin e këngëtarëve që përfundojnë Akademinë e Muzikës.
Gjithashtu, ajo ka kërkuar që të themelohet edhe instituticioni i estradës.
Znj.Pagarusha dhe z.Kelmendi kanë porositur studentët e Pjetër Budi që të lexojnë sa më shumë, duke marrë si shembull se në këtë kohë të rinjtë janë dhënë më shumë pas TV e internetit e shumë pak pas leximit.
Leximi është buka e kripa e çdo intelektuali, ka thënë në fund z.Kelmendi.