OSBE zgjeron rrjetin e të rinjve të aftësuar mbi edukimin mediatik
Prishtinë, 26 prill - Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli serinë prej dhjetë punëtorish mbi edukimin mediatik dhe të informacionit, si dhe edukimin për media digjitale për nxënës të shkollave të mesme.
Këto punëtori fuqizuan nxënësit në mbarë Kosovën në përdorimin e aftësive të edukimit mediatik dhe të menduarit kritik për t’i identifikuar lajmet e rreme, dezinformimin dhe keqinformimin.
Në dhjetë punëtoritë që filluan në mars të vitit 2022 morën pjesë gjithsej 260 nxënës nga 12 shkolla të mesme.
Ky është viti i gjashtë radhazi që Misioni i OSBE-së organizon ligjërata me nxënës në temën e edukimit mediatik. Që nga raundi i parë i punëtorive në vitin 2017, Misioni ka trajnuar rreth 900 studentë dhe të rinj shqiptarë, serbë, boshnjakë, goranë, romë, ashkali, egjiptianë dhe turq të Kosovës.
“Duke qenë se interneti është burimi kryesor i informacionit për të rinjtë në Kosovë, është thelbësore që ata ta kuptojnë rëndësinë e të qenit “gjenerata e epokës digjitale” dhe të zhvillojnë shkathtësi të mendimit kritik kur të ndërveprojnë me përmbajtjet në internet.
Në këto punëtori të rinjtë janë pajisur me shkathtësi të edukimit mediatik që do të mund t'i përdorin në botën e sotme digjitale”, tha Arben Hajredinaj nga Seksioni i Mediave në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
Peizazhi aktual mediatik ka rritur nevojën për edukim mediatik. Në përgjigje të një situate të tillë, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka organizuar një sërë aktivitetesh për grupe dhe audienca të ndryshme, përfshirë programe edukative televizive, fushata dhe trajnime mbi edukimin mediatik dhe të informacionit për studentët e universiteteve publike dhe për mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike, dhe ndihmon në mbrojtjen e lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes, si dhe mbështet zhvillimin e mediave.