OSBE prezanton rezultatet e projekteve të vitit 2019 për të rinj
Prishtinë, 7 dhjetor - Misioni i OSBE-së në Kosovë organizon konferencë ku do të prezantojë aktivitetet që Misioni ka organizuar gjatë vitit 2019 me të rinj, siç janë Akademia e OSBE-së për Dialog, Deklarata Ndër-Komunale për Dialog ndërmjet Komuniteteve, si dhe Lojërat Mini-Olimpike për Njerëz me Nevoja të Veçanta, të cilat kanë sjellë së bashku të rinj nga komunitete të ndryshme.
Zëvendësshefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Killian Wahl, do të mbajë fjalë hyrëse. Paneli që do të përqendrohet në parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave përmes aktivizmit të të rinjve do të moderohet nga një pjesëmarrëse e “Programit të gazetarëve të rinj” dhe do të bazohet në të dhënat nga anketat e OSBE-së “Mirëqenia dhe Siguria e Grave” dhe “Perspektiva e Burrave për Barazinë Gjinore në Kosovë”.
Diskutimi në panel do të pasohet nga “Sesioni i mikrofonit të hapur”, ku pjesëmarrësit e programeve të OSBE-së do të flasin për përvojat e tyre dhe atë se si pjesëmarrja në to ka ndikuar pozitivisht në botëkuptimin dhe komunitetin e tyre.