OSBE dhe MKRS diskutojnë për menaxhimin e trashëgimisë kulturore
Prishtinë, 30 korrik - Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të organizojnë konferencë njëditore me titullin “Planet e menaxhimit të trashëgimisë kulturore, mjet për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm e trashëgimisë kulturore”.
Kjo konferencë do të mbledhë ekspertë të fushës së trashëgimisë kulturore, zyrtarë të komunave dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Konferenca është hap i mëtejmë në përpjekjet e përbashkëta të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Misionit të OSBE-së për përmirësimin e mbrojtjes, ruajtjes dhe promovimit të objekteve të trashëgimisë kulturore nëpërmjet planeve për menaxhim të trashëgimisë kulturore.
Në suazat e këtyre përpjekjeve, Prishtina dhe Peja janë përzgjedhur si pilot komuna për hartimin e planeve për menaxhim të trashëgimisë kulturore.
Diskutimet do të përqendrohen në standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare të menaxhimit të trashëgimisë kulturore, me synim identifikimin e pikëarritjeve konkrete për t’u përmbushur bashkërisht nga Ministria dhe Misioni i OSBE-së.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxhiri, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit e të Komunës së Prishtinës do t’i drejtohen konferencës me një fjalë përmbyllëse.