Organizohet shfaqja teatrale 'Surpriza'
Prishtinë, 8 qershor - Aksioni për Nëna dhe Fëmijë në partneritet me organizatën Save the Children në Kosovë organizoi shfaqjen teatrale “Surpriza” me datën 8 Qershor në Sheshin “Nëna Terezë”.
Kjo shfaqje është e bazuar në programin “Disiplina Pozitive në Prindërimin e Përditshëm” dhe ka për qëllim vetëdijesimin e prindërve për rritje të shëndetshme të fëmijëve.
Ky program është zhvilluar si një përgjigje ndaj rekomandimeve të Raportit Botëror të Kombeve të Bashkuara për Dhunën kundër Fëmijëve, të cilët kërkojnë eliminimin e ndëshkimit fizik dhe ndëshkimeve të tjera poshtëruese të fëmijëve, si dhe kërkojnë mbështetjen e prindërve për të mësuar qasje jo të dhunshme në rritjen e fëmijëve.
“Jemi shumë të lumtur se shfaqja përfundoi me sukses dhe mesazhi i shfaqjes u përçua tek të pranishmit. Qëllimi i kësaj shfaqje ishte ngritja e vetëdijesimit dhe të inkurajojmë implementimin e këtij programi në familjen e secilit. Ne si organizatë kemi për qëllim mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe ndalimin e ndëshkimit fizik dhe psikologjik te fëmijët ” u shpreh Albiona Beselica Beha, Kordinatore e Projektit në Aksionin për Nëna dhe Fëmijë.
Koncepti dhe realizimi i shfaqjes “Surpriza” u bë nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, ndërsa aktorët e shfaqjes ishin Verona Koxha, Kaltrinë Zeneli, Fisnik Sykaj dhe Edlin Gashi.
---