Nuk guxojmë që Ferizajn ta identifikojmë si qytet libërdjegës
Ferizaj, 16 korrik - Pas aktit të djegies simbolike të librit të autorit Veton Surroi Këmbët e Gjarprit reagon përmes një komunikate për media kreu i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa dhe drejtori i Drejtorisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit i kësaj komun, Enver Haliti,të cilët e kanë marrë sot me shqetësim njoftimin se një grup individësh, dogjën publikisht një libër të publicistit Veton Surroi, në hapësirën e Varrezës së Dëshmorëve.
Udhëheqja komunale e Ferizajt dëshiron të sqarojë me këtë rast se nuk është në dijeni për motivin e këtij veprimi, por pavarësisht kësaj, kundërshton me forcë djegien e librave, një dukuri kjo e nisur gati 30 vjet më parë nga regjimi totalitar dhe, për fat të keq, e vazhduar pas luftës së paku edhe me tri veprime të tilla, nga individë të ndryshëm.
Kreu i Ferizajt shfaq brengosjen e thellë që individë të caktuar kanë zgjedhur rrugën më të paarsyeshme për tiu kundërvënë përhapjes së mesazheve me anë të librave, në vend se një gjë e tillë të bëhet përmes debateve të hapura. Debati, edhe rreth përmbajtjes së librave, është vlerë e qytetërimit bashkëkohor, kurse djegia e librave është veprim anticivilizues i regjimeve tashmë të tejkaluara.
Udhëheqja komunale e Ferizajt fton qytetarët e kësaj komune që ti braktisin veprimet e kohës së inkuizicionit e të nazizmit dhe në vend të tyre të gjejnë forma të tjera të komunikimit, sepse vetëm kështu mund të gjejnë përgjigje adekuate për secilën çështje që i mundon. Nuk guxojmë që Ferizajn ta identifikojmë si qytet libërdjegës, nëse tashmë nuk është identifikuar si i tillë ,thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra për informim e Kryetarit të Ferizajt