‘Një Muaj’ pritet të shfaqet në edicionin e 42-të të Atlanta Film Festival
Prishtinë, 6 shkurt - Filmi i shkurtër ‘Një Muaj’ me skenar dhe regji nga Zgjim Terziqi dhe producent Agon Syla, i cili pati premierën botërore në festivalin e madh Cairo International Film Festival, po vazhdon shfaqjet në festivale të tjera.
Ky film është pranuar dhe do të shfaqet në programin Narrative Shorts, në festivalin kualifikues për Akademinë Oscars, në Atlanta Film Festival.
Atlanta Film Festival fillon me 13 deri me 22 prill 2018 në Atlanta, Georgia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky festival mirëpret rreth 25,000 shikues të cilët mund të shohin filma të metrazhit të gjatë, të shkurtër, animacion dhe dokumentar.
‘Një Muaj’ është film i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe flet për Anën një 40 vjeçare e verbër, e pa martuar, e cila jeton sipas marrëveshjes së katër motrave të saj. Pakti i tyre përmbanë përkujdesjen e saj secila me rend nga një muaj.
Në këtë film luajnë: Makfire Miftari, Luan Jaha, May-Linda Kosumovic, Shengyl Ismajli, Irena Cahani, Fatmir Spahiu, Rinesa Qeriqi, Era Balaj, Dardane Mehmeti, Zog Zeqiri Berisha, Blerina Krasniqi, Nata Zeqiri Berisha, Lis Spahiu.
Filmi është prodhim i shtëpisë filmike ‘Broken Branch Production’, i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.