Nishani dekoroi me Urdhrin e Flamurit heroin Isa Boletini
Tiranë, 29 nëntor - Në një ceremoni, organizuar për nderë të Nëntorit-Ditës së Flamurit, në Pallatin e Brigadave, Presidenti i Shqipërisë ka nderuar figura të shquara të historisë që kanë dhënë kontribut për pavarësinë dhe çlirimin e Shqipërisë.
I pari që është dekoruar me Urdhrin e Flamurit, ka qenë heroi kombëtar Isa Boletini. Presidenti Nishani e ka vlerësuar lartë kontributin e Isa Boletinit dhënë për pavarësinë dhe lirinë e Shqipërisë.
Dekoratën nga Presidenti Nishani, për Heroin Isa Boletini, e ka pranuar kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Kryetari Bahtiri e ka falënderuar Presidentin Nishani për dekoratën dedikuar heroit tonë kombëtar Isa Boletini.
Ai i ka përcjellur presidentit Nishani nderimin dhe respektin që kanë familjarët e Isa Boletinit dhe qytetarët e Mitrovicës për të.
Lajmi për dekorimin e heroit Kombëtar Isa Boletini me Urdhrin e Flamurit na ka gëzuar pa masë të gjithëve. Duke nderuar heroin Isa Boletini dhe heronjtë tjerë të Kombit, ju Zoti president Nishani, keni nderuar veten tuaj, Boletinin, Mitrovicën, Isniqin, Vlorën, Kosovën dhe Shqipërinë, andaj edhe njëherë Ju falënderojmë nga zemra, ka thënë ndër të tjera kryetari Bahtiri.
Kryetari Bahtiri ka takuar edhe ish presidentin e Shqipërisë, Salih Berisha dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.