Nis ndërtimi i Qendrës Rinore në Gjilan
Gjilan, 8 Shtator - Gjilani do të bëhet shumë shpejtë me Qendër Rinore moderne. Gurthemeli i saj u vendos sot nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi dhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri. Në këtë ngjarje të pranishëm ishin edhe deputetët nga Komuna e Gjilanit, Zenun Pajaziti dhe Lirije Kajtazi.
Kjo qendër do të ndërtohet tërësisht me financim të MKRS-së, prej 250 mijë eurove. Ajo do të ketë infrastrukturë moderne me një hapësirë rreth 500 m2.
Një qendër e ngjashme është planifikuar nga MKRS-ja të ndërtohet edhe në Prishtinë, por ende nuk është përcaktuar lokacioni për ndërtimin e saj.
Ministri Krasniqi tha se kjo qendër rinore në Gjilan do të jetë një nga hapësirat kryesore për të rinjtë e qytetit për të promovuar vlerat e veta, në çdo segment të jetës shoqërore.
Ne e kemi parë si shumë të rëndësishme që për të rinjtë të krijojmë hapësira të veçanta. Fillimi i ndërtimit të kësaj qendre është edhe nisje e një programi të ri në MKRS për ndërtimin e një qendre rinore në çdo qytet. Sivjet kemi filluar me Gjilanin e Prishtinën. Vitin tjetër parashohim edhe dy qendra tjera. Këto qendra do të ndërtohen me buxhetin e MKRS-së dhe besoj se të rinjtë do të shfrytëzojnë këto qendra për të zhvilluar idetë, planet e tyre për një jetë më të mirë në komunitet dhe pse jo për edukim e ngritje profesionale të tyre, ka deklaruar ministri Krasniqi.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka falënderuar ministrin Krasniqi për këtë projekt dhe projekte te tjera që MKRS ka financuar për këtë komunë. Kjo qendër është ndihmëse e madhe për rininë e Gjilanit dhe organizatat jo qeveritare dhe rinore, tha ai. Ai shprehi gatishmërinë që bashkërisht edhe me MKRS-në edhe komuna të investojë në projekte të ndryshme për kulturën, rininë dhe sportin.