Neon Trees publikon albumin e ri Picture Show
Washington, 17 shtator - Neon Trees është grup katër anëtarësh nga Provo i Jutas i cili bëri debutimin e tyre në vitin 2010 me diskun Habits.
Dy vjet më pas, grupi është rikthyer në skenën e muzikës me diskun Picture Show dhe vazhdon suksesin me këngën Everybody Talks.
Këngëtari kryesor i grupit Tyler Glenn, që ka shkruajtur tekstin e shumicës së këngëve të këtij grupi bisedoi me korreposndentin e Zërit të Amerikës Larry London, gjatë turneut të tyre të fundit në Washington DC.
Grupi Neon Trees thotë se muzika e tyre është pop-rok energjik. Në dy vitet e fundit grupi ka arritur të futet në klasifikimet Billboard Top 20 me dy albumet e tyre. Albumi i tyre i ri titullohet Picture Show. Tyler Glenn shpjegon se si ata punuan në projektin e tyre të ri.
I kemi hyrë pa frikë punës për prodhimin e këtij albumi. Shumë grupe të tjera që më pëlqejnë kanë realizuar diskun e tyre të dytë, pasi kanë kaluar shumë kohë me mëdyshje e analiza. Ne kemi dashur të merremi me llojin e muzikës që na pëlqen dhe të përfshijmë nota nga muzika që ka ndikuar tek ne. Jam shumë i kënaqur me punën tonë. Albumi i fundit tregon më shumë pjekuri dhe është shumë argëtues.
Tyler Glenn nuk kishte në plan të bëhej këngëtari kryesor i një grupi rok.
Unë kam dashur të bëhem gazetar. Shkrimi dhe artet më kanë pëlqyer gjithmonë, por fillova të luaja në grupe muzikore dhe shumë shpejt e kuptova se dalja në skenë më bënë të ndjehem vërtetë i gjallëruar.
Tyler e pranon se ka një personalitet të dytë (alter ego) që e ndihmon të luftojë emocionet e interpretimit në skenë.
Më duhet, sepse natyrë e mbyllur. Prandaj më ndihmon veshja që zgjedh apo muzika që dëgjoj sepse më jep energji para daljes në skenë. Në dy vitet e fundit kemi krijuar një bazë të mirë adhuruesish të cilët gjatë koncerteve tona këndojnë me ne. Ndjej një shkëmbim energjie me ta. Kjo më ka ndihmuar që të mos kem nevojë për rituale ose gjëra tjera, tani për mua është e natyrshme të dal në skenë.
Në fakt grupi u zbulua nga një anëtar i një grupi tjetër popullor.
Bateristi i grupit The Killers, Ronnie Vannucci, ka parë shfaqjet tona disa herë dhe mendoi se mund të ofronim diçka. Atëherë luanim në Las Vegas para një audience prej vetëm 10 deri 15 njerëzish. Në zonën ku banonim bënim shfaqje të vogla, por ishte e vështirë të shpërtheje në skenën kombëtare. Grupi Killers na dha një dorë duke na lejuar të dilnim në skenë para koncerteve të tyre.
Grupi zgjodhi emrin Neon Trees pasi kishin parë një restorant të pajisur me drita inkandeshente në Los Anxhelos. Tyler thotë se ekziston një lidhje të veçantë me emrin.
Kur basisti ynë Brandon Campbell iu bashkua grupit, ai pyeti për origjinën e emrit. Pasi i tregova historinë e emrit, ai më tha se babai i tij punon në kompaninë Yesco në Las Vegas dhe më 1980 ka ndërtuar dritat inkandeshente. Pra, doli që babai i basistit të grupit ka prodhuar ato drita shumë vite para takimit tim me Brandon. Ishte një zbulim i çuditshëm me vlerë spirituale.
Neon Trees po zhvillojnë turne për të promovuar diskun e tyre të ri Picture Show dhe sapo kanë publikuar këngën e dytë të albumit të ri.