Në shtëpinë e Madonës arrestohet hajni
Londër, 15 mars - Një polak është arrestuar nga policia britanike me akuzën e vjedhjes, pasi u gjet në shtëpinë me vlerë 10 milion stërlina të Madonës në Londër.
Grzegorz Matlok, 29 vjeç, u njoh me akuzat sot, në gjykatën e Uestminsterit. Ai u kap brenda banesës së mbretëreshës së popit në mëngjesin e ditës së shtunë, pasi sistemi i alarmit njoftoi policinë e Londrës.
I veshur me syze të errta dhe një kostum sportiv, polaku u shfaq i ftohtë në gjykatë, ndërsa një përkthyes i njoftoi hapjen e procedimit. Ai i bëri rezistencë arrestimit të ndodhur brenda shtëpisë me dhjetë dhoma gjumi të këngëtares.
Madona dhe katër fëmijët e saj ishin të gjithë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kur ndodhi vjedhja. Këngëtarja udhëtoi në Miçigan, për të respektuar kujtimin e gjyshes së saj Elsie Mae Fortin, e cila u nda nga jeta javën e shkuar.