Në Gjilan u mbajt ekspozita ndërkombëtare “Salloni Vjeshtor”
Gjilan, 25 shtator - Në Gjilan është mbajtur ekspozita ndërkombëtare e arteve të bukura “Salloni Vjeshtor”, që ka mbledhur artistë nga shumë vende.
Shpresa Kurteshi Emini, kryesuese e Asamblesë Komunale të Gjilanit, ka përshëndetur pjesëmarrësit në emër të Kuvendit Komunal të Gjilanit dhe ka thënë se është kënaqësi e veçantë që është pjesë e edicionit të trembëdhjetë me radhë.
“Arti ka vetëm një gjuhë, të cilën e kuptojnë të gjithë. Komuna dhe kryetari Lutfi Haziri, i ka mbështetur gjithmonë aktivitetet dhe ngjarjet e tilla dhe se i motivojnë artistët që edhe në të ardhmen të merren me këtë veprimtari”, ka thënë Kurteshi, që ka hapur edicionin e sivjetmë.
Fillimisht Jeton Rexhepi, ka thënë se tema e sivjetme e “Sallonit...” ishte nudo, temë kjo që nuk punohet shumë dhe që është specifike.
Ai tha se secili student i artit e ka provim edhe këtë lloj të punimit dhe ka rikujtuar se në Shqipëri ishte Pjetër Marubi që bëri foton e parë nudo, derisa në Kosovë me këtë temë ka qenë tejet i preokupuar Fahredin Spahiu.
Rexhepi ka thënë se janë përpjekur që të thejnë këtë mentalitet dhe ka shtuar se kjo ekspozitë është ndërkombëtare.
Arian Rexhepi, piktor akademik dhe organizator i kësaj ngjarje, ka thënë se juria ka përzgjedhur punimet më të mira dhe ka dhënë këtë vlerësim:
Vendi i Parë: Evi Kirmakidou – Greqi
Vendi i Dytë: Meri File – Shqipëri
Vendi i tretë: Alma Islamaj – Kosovë
Cmimi special: Brilant Milazimi - Kosovë