Në 1 Vjetorin e vdekjes së Prof. Hazir Shalës u promovuan dy libra
Prishtinë, 1 shtator - Sot në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë u mbajt një Tubim përkujtimor në 1 Vjetorin e vdekjes së profesor Hazir Shalës, ish kryetar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Në këtë tubim morën pjesë një numër i madh i veprimtarëve të çështjes kombëtare, ish të burgosur politik të ish regjimit jugosllav, familjarë të profesor Hazir Shalës, profesorë, krijues, intelektualë dhe qytetarë.
Me këtë rast, për për jetën dhe veprimtarinë kombëtare të profesor Hazir Shalës, ka folur Edona Podvorica, ndërsa për librin Lidhja e Dytë e Prizrenit ka folur Prof. Mr.sc. Zahir Kastrati, profesor i historisë, veprimtar i çështjes kombëtare, bashëkpunëtor i profesor Hazir Shalës, anëtar i Kryesisë i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe nip i Shaban Polluzhës.
Ai ka thënë se libri Lidhja e Dytë e Prizrenit si rezultat i mbajtjes së Simpoziumit Shkencor Lidhja e Dytë e Prizrenit që është mbajtur në vitin 2001 në Prizren, është libri më i mirë prej pas luftës së fundit që u bë në Kosovë, sepse përmban kumtesa dhe komunikime nga njerëz eminent të shkencës dhe kulturës nga të gjitha trojet shqiptare.
Ndërkaq, libri i dytë që u promovua me titull Poezi e Angazhimit Kombëtar e autorit Hazir Shala, tregon se ai është marrë edhe me shkruarjen e poezive në një periudhë 50 vjeçare, prej viteve të 60-ta e deri në vitin 2014 kur ndërroi jetë në moshën 82 vjeçare.
Disa kujtime për profesor Hazir Shalën i kujtoi edhe përfaqësuesi i familjes, i biri, Flamur Shala, i cili tha se babai i tij është dënuar me 13 vite burg dhe se ka vuajtur shumë, si i burogsur politik dhe i ndjekur gjatë gjithë jetës nga ish regjimi jugosllav komunist.
Përkundër kësaj, profesor Haziri nuk është ndalur asnjëherë dhe ka zhvilluar veprimtari kombëtare. Ai ishte ideator i LRBSH-së, dhe ishte kryetar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në vitet e 90-ta në Tiranë dhe pas luftës së fundit në Kosovë, prej vitit 1999 e deri në frymën e fundit në Prishtinë. /Ahmet Pllana/