22 Dhjetor 2024

Ndahen çmimet për dramë shqipe “Katarina Josipi”, fitues Osman Goranci

Prishtinë, 13 korrik - Osman Goranci fitoi çmimin e vendit të parë për Dramë Shqipe “Katarina Josipi” për dramën “Gratë dhe Napoloni”. Ndërkaq, Ibush Arifi fitoi vendin e dytë në konkursin e ndarjes së çmimeve për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për dramën “Lufta e gruas”.

Këto dy çmime i ndau sot Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, për të dy laureatët. Vendimet për çmime ministrja Dumoshi i ndau në bazë të vlerësimeve të Jurisë profesionale në përbërje të profesor Ekrem Kryeziu – kryesues, Getoarbë Mullqi, Vlorë Nikçi, Ardian Morina dhe Jehona Shyti – anëtarë.

Juria ka vlerësuar se drama “Gratë dhe Napoloni” është një komedi që i ka tiparet e ‘komedia del arte’, të shtrira në kohën tonë, me dialogje të shkurtra plot energji pozitive dhe pa ekuivokë e meriton çmimin e parë, ndërsa si çmim të dytë juria ka vendosur që të jetë drama “Lufta e gruas” me elemente mes komedisë dhe dramës së aksionit.

Ministrja Vlora Dumoshi, me këtë rast i uroi laureatët dhe i përgëzoi për punën e tyre krijuese. Ministrja tha se do ta përkrah dramën shqipe dhe inskenimin e saj. “Do të punojmë dhe do të angazhohemi që drama shqipe të jetë e pranishme dhe të vihet në skenë ashtu që të promovohen vlerat e mirëfillta”, tha ajo mes tjerash.

“Vendi ynë ka prodhuar shumë shkrimtarë të mirë dhe të suksesshëm dhe kjo traditë duhet të vazhdohet e të mbështetet fuqishëm ashtu që të jemi konkurrent me të tjerët dhe për t’u prezantuar sa më mirë edhe në Rajon si dhe në Evropë dhe Botë”, porositi ministrja.

Ndërkaq, laureati i çmimit të parë, Osman Goranci, e falënderoi ministren për vlerësimin dhe çmimin.

Ai tha se komeditë e tij kanë bazë në realitetin e përditshëm, e që nuk ndodh vetëm tek ne por edhe në tërë botën.

Si shqetësim i përbashkët që u shpreh ishte mosinskenimi i dramës shqipe nëpër teatrot e Kosovës, porse ministrja Dumoshi u zotua se kjo gjë do të rregullohet dhe dramat e mrekullueshme që shkruajnë autorët në Kosovë do të jetësohen.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)