Ndahen 70 mijë euro për promovim e filmit Shok
Prishtinë, 29 janar - Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, me kërkesë të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka miratuar një fond prej 70 mijë eurosh nga Fondi Rezervë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, në funksion të promovimit të mëtejmë të filmit Shok, i cili është nominuar për Çmimin prestigjioz Oscar.
Ky vendim është marrë duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj çështjeje, si dhe duke u bazuar në kërkesën e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe me propozim të MKRS-së.
Ministri Shala në fjalën e tij në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u shpreh se nominimi i këtij filmi ka qenë një e arritur e madhe dhe një sukses i jashtëzakonshëm për kinematografinë dhe kulturën e Kosovës, prandaj edhe kërkohet mbështetje financiare në funksion të promovimit sa më të gjerë të tij.