Mustafa: LDK ofron strategjinë më të mirë edhe për kulturën
Prishtinë, 21 maj - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherit kandidat i saj për kryeministër të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë të mërkurën gjatë një tryeze me artistë, sportisë dhe të rinj, se qeverisja e cila do të drejtohet prej tij do ti fuqizojë dhe do të garantojë funksionimin e pavarur të institucioneve të kulturës e sportit, ndërsa rinisë do ti mundësojë formësimin sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe perspektivë në atdheun e tyre.
Mustafa ka theksuar se gjatë mandatit qeverisës të LDK-së, në institucionet e kulturës dhe sportit do të krijojë kushte për kthimin dhe përfshirjen e profesionistëve, të larguar nga qeverisja në largim e Kosovës, e cila i ka uzurpuar me militantë pothuaj të gjitha këto institucione, duke paralizuar funksionimin e tyre.
Fakti që në përbërjen e listës së kandidatëve të LDK-së për deputetë, mbi 15 për qind janë njerëz të këtyre fushave, tregon se me çfarë serioziteti dhe përkushtimi e ka marrë LDK strategjinë për zhvillimin e këtyre sektorëve, ka thënë Mustafa, sipas të cilit, programi i LDK-së për qevrisjen e ardhshme, bazohet në parimet dhe orientimet programore të Partive Popullore Evropiane (PPE), anëtare e së cilës është LDK, që janë në përputhje të plotë me parimet që zbatohen në vendet e Bashkimit Evropian.
Kryetari Mustafa ka thënë se programi i LDK-së për këto fusha synon përmirësimin e legjislacionit përkatës, krijimin e kushteve infrastrukturore si dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e këtyre sektorëve, në përputhje me vlerat tradicionale të popullit të Kosovës dhe synimet e tij integruese në strukturat euro-atlantike.
Prioritet do të jenë bashkëpunimi në fushën e kulturës dhe sportit dhe Shqipërinë dhe vendet tjera me shqiptarë, ndërsa do të ketë përkushtim të veçantë për forcimin e relacioneve me shtete tjera, përmes përfaqësive diplomatike, ka thënë Mustafa.
Kandidati i LDK-së për kryeministër të Kosovës, Isa Mustafa, ka theksuar se qeveria e re e cila do të drejtohet prej tij do të rrisë buxhetin për institucionet e kulturës, por do të krijojë edhe fonde të veçanta për mbështetjen e aktiviteteve kulturore, sportive dhe të rinisë.
Kthimi i fondit të trashëgimisë kulturore nga Serbia nuk do të negociohet, por do të këmbëngulet që të kthehet, ka thënë Mustafa, sipëas të cilit, qeverisja e LDK-së, do të financojë ndërtimin dhe renovimin e ndërtesave të institucioneve të kulturës, përfshirë edhe ndërtimin e sallës së Operas dhe Baletit Ibrahim Rugova në Prishtinë.
Ai ka theksuar se programi i LDK-së parasheh digjitalizimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës, rrjetin e Muzeve, ndërsa planifikon dhe do ta realizojë strategjinë për mbështetjen e veprimtarisë botuese, duke rishikuar edhe politikat fiskale.
Në programin qeverisës të LDK-së, sipas kryetarit Mustafa, është paraparë edhe ngritja e kapaciteteve të organizatave rinore si dhe një kornizë rregullative për përfshirjen e të rinjve në vendimarrje.
Kosova është vendi me popullsinë më të re në Evropë. Ata po ballafaqohen me sfida të shumta. 70 për qind e tyre janë të papunë. Shumë prej tyre nuk vijojnë arsimin e mesëm, e edhe më pak atë të lartë. Institucionet e arsimit do të mbështeten për përfshirje në arsimim sipas standardeve evropiane. Arsimin e lartë për femra e garantojmë me kosto zero, kurse do të kemi edhe skemë
stimuluese për studentët me rezultate të mira studimi, ka thënë Mustafa.
Ai ka premtuar se qeverisja e LDK-së do të garantojë ambient të favorshëm financiar për ndërmarrësit e rinj, përfshirë edhe programe konsulente për ta.
Po ashtu, kryetari Mustafa ka thënë se qeverisja e ardhshme e Kosovës, e drejtuar nga LDK, do të ndikojë në zhvillimin e sportit, me strategji konkrete.
Prioritet do ti japim fuqizimit të sportit si dhe përpjekjeve për ndërkombëtarizimin e tij. Ne do të garantojmë autonominë e federatave sportive, promovim të sportit, përfshirë funksionalizimin e sportit shkollor, mbështetje për sportet e njerëzve me aftësi të kufizuara etj, ka thënë Mustafa. Në programin qeverisës të LDK-së, sipas kryetarit Mustafa, një vëmendje e posaçme do ti kushtohet edhe mbështetjes për infrastrukturën e sportit, përfshirë ndërtimin e një stadiumi nacional me standarde të UEFA e FIFA. Po ashtu, qeverisja e ardhshme e Kosovës do të mbështesë edhe sportet e personave me nevoja të veçanta.
Kryetari Mustafa ka shprehur bindjen e tij se programi i LDK-së për kulturën, rininë dhe sportin është alternativa më e mirë qeverisëse për Kosovën.
Gjatë bashkëbisedimit, pjesëmarrësit e tryezës kanë dhënë edhe disa sugjerime shtesë, të cilat është thënë se do të përfshihen në programin qeverisës të LDK-së për mandatin e ardhshëm.