Mungesa e koordinimit institucional po e stimulon degradimin
Monitorimi lidhur me veprimet e zinxhirit institucional, gjatë periudhës korrik-nëntor 2015 ka nxjerrë në pah mungesën e komunikimit të mirëfilltë institucional, gjë që ka pas ndikim negativ në ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe parandalimin e degradimit në këtë qendër.
Të dhënat statistikore të ofruara nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren tregojnë se ky mekanizëm ka evidentuar 5 projekte apo punime të realizuara në këtë zonë pa shqyrtimin e QRTK-së dhe se të njëjtat i ka adresuar te Drejtoria e Inspektorateve në Komunën e Prizrenit.
Ndërsa të dhënat statistikore të ofruara nga Drejtoria e Inspektorateve bëjnë të ditur se vetëm 1 rast ka qenë në procedurë administrative, pasi investitori ka poseduar leje rrënimi, por punimet në ndërtim i ka nisur pa u pajisur me leje ndërtimore. I njëjti sipas DI-së dy herë është gjobitur me gjobë mandatore dhe nuk ka pas vazhdim të punimeve në ndërtim të objektit. DI ka njoftuar se nuk ka pas raste tjera në këtë periudhë në Qendrën Historike.
Ndërkohë Prokuroria Themelore e Prizrenit ka theksuar se gjatë kësaj periudhe kohore ka ngritur 2 aktakuza ndaj 2 personave të dyshuar për shkelje ligjore.
Ndërkaq të dhënat statistikore për këtë periudhë të ofruara nga Gjykata Themelore e Prizrenit tregojnë se masat sanksionuese janë shqiptuar për parregullsitë urbanistike në 4 raste penale në pjesët tjera të qytetit, ku në mesin e të pandehurve ka edhe zyrtarë komunal që kanë shpërdoruar detyrën zyrtare, ndërkohë që nuk është raportuar për ndonjë aktgjykim në lidhje me shkeljet në Qendrën Historike të Prizrenit.
Fakti që organet e drejtësisë kanë nisur adresimin e parregullsive urbanistike është inkurajues, por ka ende shumë punë për tu bërë në këtë drejtim.
Në anën tjetër, dallimi në mes të dhënave të raportuara nga QRTK dhe rasteve të evidentuara nga DI është i dukshëm. Dhe ky hendek duhet të ngushtohet në mënyrë që të mbrohet Qendra Historike e Prizrenit nga degradimi i mëtutjeshëm.
EC Ma Ndryshe përkujton se mbrojtja dhe zhvillimi i Qendrës Historike të Prizrenit është përgjegjësi e ndarë e dy niveleve të qeverisjes dhe e një numri të konsiderueshëm institucionesh. Mungesa e sanksioneve për shkeljet nënkupton paaftësi të institucioneve për të siguruar sundim të ligjit.
Për këtë arsye, rekomandon koordinim mes institucioneve të shtetit për të vendosur rend urbanistik në Qendrën Historike, por pa anashkaluar edhe pjesët tjera të qytetit.
Ky koordinim duhet të zbatohet në disa nivele, përfshi atë brenda komunës së Prizrenit (drejtoritë, Këshilli i Trashëgimisë Kulturore), komuna në raport me QRTK-në dhe ministritë përkatëse (Kulturë, Planifikim Hapësinor, Qeverisje lokale), institucionet e drejtësisë dhe të zbatimit të ligjit dhe mbikëqyrja parlamentare në raport me qeverinë dhe komunën.
Projektin Indeksi i Reformës së Transparencës Komunale EC Ma Ndryshe ka nisur që ta zbatoj nga maji i vitit 2015, falë përkrahjes së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, i cili ka shtrirje në komunat e mëdha të Kosovës, Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj dhe Gjakovë, sikurse edhe në Suharekë, Rahovec, Malishevë, Dragash, Mamushë dhe Shtërpcë.
Projekti në fjalë ka për qëllim që ti asistoj komunat në identifikimin e mangësive kryesore sa i përket transparencës sikurse edhe të ofroj udhëzime për adresimin dhe tejkalimin e tyre.
Indeksi i Transparencës paraqet edhe një përpjekje të strukturuar për të mbështetur komunat e Kosovës në përmbushjen e standardeve të qeverisjes së mirë, të përcaktuara me reformën e qeverisjes lokale dhe agjendën evropiane të Kosovës.